Tavo: Zëvendësojmë çdo rrënjë ulliri të dëmtuar nga zjarri

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Zjarret që përfshinë kurorën e gjelbër me ullinj të bashkisë Himarë shkaktuan dëme të konsiderueshme jo vetëm për faktin se fermerët humbën prodhimin e këtij viti, por edhe sepse u dogjën me dhjetëra rrënjë qindrashekullore ullinjsh.
Grupet e ngritura nga Bashkia Himarë po vijojnë verifikimet në terren, parcelë pas parcele, për të përcaktuar numrin e saktë të ullinjve të dëmtuar dhe familjet e prekura.
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo thekson rëndësinë që ka kultura e ullirit, që prej shekujsh është pjesë e historisë, ekonomisë dhe identitetit të Himarës.
“Ullishtat, të kultivuara dhe të trashëguara ndër breza, përbëjnë një nga pasuritë më të rëndësishme të familjeve të zonës dhe pikërisht për këtë arsye, dëmtimi i tyre nga zjarri përbën një nga pasojat më të rënda që duhet të rikuperojmë”, thekson Tavo.
Kryebashkiaku u shpreh se angazhimi i bashkisë është i qartë: çdo rrënjë ulliri e dëmtuar nga zjarri do të evidentohet dhe do të dëmshpërblehet.
Pas përfundimit të evidentimit, ai premton se do të mbështesin zëvendësimin e çdo rrënje të dëmtuar, me synimin që sipërfaqet e prekura të rikthehen përsëri në prodhim.
Rikuperimi i ullishtave është një proces që kërkon kohë dhe punë, por është një detyrim që kemi ndaj familjeve të prekura, ekonomisë së zonës dhe një prej pasurive më të rëndësishme të Himarës.
“Asnjë rrënjë ulliri e dëmtuar nuk do të mbetet pa u evidentuar dhe pa mbështetjen e nevojshme për t’u zëvendësuar”, shprehet Tavo.