E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Tirana është mbuluar nga mbetjet, ndërsa paguhet ende inceneratori që nuk ekziston

TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot për situatën me menaxhimin e mbetjeve në Tiranë, duke akuzuar qeverinë për mungesë përgjegjësie dhe transparence.

“Shqiptarët vazhdojnë të paguajnë për një incenerator që nuk ekziston, ndërsa Tirana po mbytet nga plehrat”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, situata me mbetjet është tregues i një “modeli të qeverisjes së papërgjegjshme”, ku, siç u shpreh ai, “paratë e qytetarëve paguhen, shërbimi mungon dhe përgjegjësia fshihet pas propagandës”.

“Plehrat kanë zaptuar çdo cep të Shqipërisë, madje edhe zemrën e saj, Tiranën”, shkroi Bardhi në reagimin e tij.

Ai e cilësoi “skandaloze dhe të papranueshme” që Shqipëria, një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të përballet me qytete të mbuluara nga mbeturinat dhe pagesa, sipas tij, për një incenerator që nuk ekziston.

“Kjo nuk është paaftësi. Është dështim politik dhe administrativ”, deklaroi Bardhi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së theksoi se qytetarët kanë nevojë për shërbime dhe llogaridhënie.

“Qytetarët meritojnë shërbim, transparencë dhe llogaridhënie, jo propagandë, justifikime dhe fatura që i paguajnë ata”, u shpreh Bardhi.

Në përfundim të reagimit, ai kërkoi përgjegjësi për situatën, duke deklaruar se “Tirana nuk ka nevojë për propagandë. Ka nevojë për një qeverisje që punon dhe mban përgjegjësi”.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›