Bardhi kërkesë Nikollës: Anulo votimet e djeshme në Kuvend, nuk kishe kuorum, shkele Kushtetutën

Akuzat që Gazmend Bardhi ia artikuloi drejtpërdrejtë nga Kuvendi, kryeparlamentares Lindita Nikolla për shkelje të Kushtetutës duke votuar projektligjet pa kuorumin e nevojshëm, sot deputeti demokrat e ka bërë në rrugë zyrtare.
Përmes një kërkese drejtuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla dhe Komisionit të Votimit, Bardhi kërkon anulimin e votimeve të ndodhura në seancën e 23 shkurtit 2023, duke thënë se u miratuan pa kuorumin e nevojshëm. Nëse kjo nuk ndodh, thekson Bardhi, atëherë Kryetari i Kuvendit ka falsifikuar aktet.
“Kërkoj anulimin e votimeve të kryera në seancën plenare të datës 23.02.2023. Në rast të kundërt të gjitha aktet e miratuara janë antikushtetuese dhe Kryetari i Kuvendit do të ishte në kushtet e falsifikimit të akteve, duke konsideruar të miratuara, akte që në fakt Kuvendi nuk ka arritur me shumicën e kërkuar t’i miratoi”, thuhet në kërkesën e Bardhit.
Deputeti kërkon anulimin e 3 projektligjeve, duke argumentuar se në mënyrën e votimit është shkelur Kushtetuta, pasi sipas tij Nikolla iu referua prezencës së deputetëve në sallën e Kuvendin dhe jo votimit të deputetëve.
“Mungesa e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje, çka i bënte tre votimet e kryera absolutisht të pavlefshme, mirëpo në injorim të detyrimit kushtetues dhe të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit i ka konsideruar aktet të miratuara. Kjo përbën një shkelje kushtetuese dhe ligjore shumë të rëndë, duke anashkaluar detyrimin e parashikuar nga neni 78 i Kushtetutës dhe neni 55 i Rregullores së Kuvendit”, shkruhet në kërkesë.
Çfarë ndodhi dje në Kuvend
Edhe në seancën plenare të 23 shkurtit, Bardhi kërkoi që votimet të anullohen nga Nikolla sepse nuk plotësonin kuorumin e nevojshëm.
“Ju sapo konsideruat të miratuara dy pika të rendit të ditës në kundërshtim me rregulloren. Që një votim të quhet i vlefshëm duhet të marrin pjesë 50 plus 1%. Më dëgjo mua mos dëgjo në telefon Ballën. Në të dy pikat e rendit të ditës, morën pjesë më pak deputetë. Shpallni të anulluar të dy proceset e votimit që kaluan sepse janë në kundërshtim me rregulloren dhe kushtetutën. Nikolla kthehuni në pozicionin tuaj si kryeparlamentare, nuk janë sms-të dhe telefonatat urdhëruese për të ushtruar kushtetutën”, tha Bardhi.
Nga ana tjetër Nikolla iu përgjigj se në nisje të seancës 74 deputetë kishin konfirmuar prezencën. Kjo u kundërshtua nga Bardhi i cili tha se prezenca e deputetëve duhet të konfirmohet para çdo votimi.
/rtsh.al/