E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 14 majit, ende s’është regjistruar asnjë kandidat i pavarur në KQZ, afatet dhe mbledhja e nënshkrimeve

Zgjedhjet vendore, në dallim nga zgjedhjet parlamentare, kanë një karakteristë të veçantë, që lidhet kryesisht me kandidimin e personave të propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, ose siç njihen ndryshe “kandidatë të pavarur”.

Rtsh.al kontaktoi me administratën zgjedhore për të marrë një informacion, nëse pranë këtij institucioni janë regjistruar kandidatë të pavarur për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Sipas administratës zgjedhore, deri të enjten nuk është regjistruar ende asnjë kandidat i pavarur, ndonëse është kërkuar informacion për procedurat që u mundëson individëve që të kandidojnë si të pavarur për kryetar bashkishë, ose edhe për këshillat bashkiakë. Afati pëfundimtar për regjistrimin në KQZ është data 26 mars. 

Kandidatët e pavarur 2015- 2019

Hezitimi i deritanishëm për regjistrimin si kandidat të pavarur, duket se lidhet edhe me dinamikën e zhvillimeve politike në vend, ku polarizimi mes pozitës dhe opozitës, në disa raste, ndikon edhe si efekt frenues.

Zgjedhjet vendore të vitit 2019, vlerësohen për bollëkun e kandidatëve të pavarur, krahasuar me zgjedhjet vendore të 2015. Në zgjedhjet vendore të 2019 ishin 6 kandidatë të pavarur, të cilët nuk fituan në asnjë nga bashkitë ku konkurruan. Në 2015, kandidatura më e spikatur e pavarur ishte ajo e Gjergj Bojaxhiut, i cili garoi në Tiranë përballë Erjon Velisë nga PS, dhe Halim Kosovës nga PD.

Në 2019, kandidatët e pavarur garuan jo vetëm në bashki të vogla, por edhe në ato më të mëdha si Berat, Sarandë etj. Numri i lartë i kandidatëve të pavarur mori shkas edhe nga bojkotimi që opozita u bëri zgjedhjeve vendore të 2019.

Kandidatët e pavarur në zgjedhjet vendore 2019

Bashkia Kurbin, Nikoll Lleshi

Bashkia Klos, Bedri Hoxha

Bashkia Berat, Plarent Aleksi

Bashkia Devoll, Fezi Shaholli

Bashkia Himarë, Dhionisios Beleri

Bashkia Sarandë, Ilir Nikolla.

E drejta e propozimit dhe afatet

Në bazë të Kodit Zgjedhor, një grup zgjedhësish me banim në zonën zgjedhore kanë të drejtë të propozojnë një kandidat për kryetar të bashkisë ose një kandidat për këshillin vendor, jo më vonë se 50 ditë nga data e zgjedhjeve.

Kandidati i propozuar nga një grup zgjedhësish nuk mund të jetë pjesë e asnjë partie apo koalicioni që konkurron në atë zonë zgjedhore dhe as të mbështesë haptazi apo në mënyrë të tërthortë ndonjë subjekt apo kandidat tjetër që konkurron në atë zonë zgjedhore, shkruan rtsh.al.

Për paraqitjen e kandidatit nga zgjedhësit krijohet një komitet nismëtar me jo më pak se 9 zgjedhës nga zona zgjedhore përkatëse, të cilët janë të ngarkuar për mbledhjen e firmave mbështetëse për kandidatin. Jo më vonë se 70 ditë para datës së zgjedhjeve, komiteti nismëtar regjistrohet në KZAZ, duke paraqitur emrat e anëtarëve të komitetit.

Komiteti mund të regjistrojë një kandidat për kryetar të bashkisë vetëm nëse ka marrë mbështetje për kandidatin nga një numër zgjedhësish që i korrespondon 1 për qind të listës së zgjedhësve të zonës zgjedhore, por, në çdo rast, jo më pak se 50 zgjedhës, sipas procedurave të përcaktuara në Kod.

Procedura e mbledhjes së nënshkrimeve

KQZ-ja, jo më vonë se 100 ditë para datës së zgjedhjeve, miraton dhe pajis subjektet me formularin tip për mbledhjen e nënshkrimeve mbështetëse për kandidatët e propozuar nga një grup zgjedhësish apo për partitë dhe koalicionet, shkruan rtsh.al.

Zgjedhësit depozitojnë personalisht nënshkrimet e tyre në formularin tip. Formulari duhet të përmbajë identitetin e plotë të zgjedhësit, datëlindjen e tij dhe numrin telefonik të kontaktit.

Bashkë me nënshkrimin, çdo zgjedhës depoziton edhe fotokopjen e letërnjoftimit të vlefshëm, të nënshkruar prej tij, e cila i bashkëngjitet listës. Zgjedhësi duhet të jetë i regjistruar në zonën zgjedhore përkatëse.

Verifikimi i nënshkrimeve për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore kryhet nga KZAZ-ja përkatëse, duke verifikuar 5 për qind të listës mbështetëse të kërkuar sipas ligjit, nëse janë zgjedhës me vendbanim në zonën zgjedhore përkatëse në momentin e depozitimit.

Pas verifikimit administrata paraqet një raport të detajuar mbi mangësitë e konstatuara. Raporti shqyrtohet në seancë publike, në prani të palës së interesuar. KQZ-ja vendos për pranimin ose refuzimin e listës mbështetëse. Lista pranohet kur numri i nënshkrimeve mbështetëse, duke përjashtuar numrin e nënshkrimeve të parregullta, është të paktën sa numri minimal i kërkuar për nënshkrimet, sipas këtij Kodi.

/rtsh.al/ a.meta/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›