Protestat/ Berisha: Jemi në një revolucion! Edi Rama është i interesuar për dhunë

Në një mbledhje me drejtuesit e departamenteve të Rithemelimit, Sali Berisha ka shprehur vendosmërinë e opozitës për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se protestat do të vijojnë, teksa shtoi se nuk përjashtojnë as fitoren me “mekanizma të mosbindjes civile”. Aksionin e opozitës, Berisha e krahasoi me atë të vitit 1990 për rrëzimin e komunizmit. Ndërsa u kujdes të theksonte se protestat do të jenë paqësore, Berisha akuzoi Ramën se “është i interesuar për dhunë”.
“Ne e kemi bërë njëherë këtë revolucion në vitin 1990-91. Kushtet janë të ndryshme, por ngjashmëritë janë reale. Edhe atëherë fituam, edhe tani do të fitojmë. Do të fitojmë. Do të fitojmë duke persisituar. Do të fitojmë me mekanizma të mosbindjes civile. Atëherë kishim mekanizma të tjerë të fuqishëm, nuk i kemi sot ato, por prap sot ne do të përdorim të gjitha mundësitë që kemi. Do të ju them një gjë. Që nga viti 1990, deri më sot këto janë protestat në të cilat forca politike që i organizon ka vetëm një pushtetar, ç’ka do të thotë janë masë e pafundme idealistësh që vijnë aty. Nuk i nxjerr pushteti ato, nuk i nxjerrin qeveritarët vendorë ata. Ata i nxjerr vetja e tyre, idealet e tyre, ju u nxjerrin idealet tuaja. Përkundrazi ju që vini merrni rrisqe për të dalë aty”, tha Berisha.
Ish-kryeministri Berisha ka sqaruar edhe termin “revolucion” që përdor për të emërtuar aksionin e tyre, ndërsa u shpreh se ka zgjedhur atë fjalë për shkak se, sipas tij, përballë kanë një regjim monist.
“Ne jemi në një revolucion dhe unë prap do të ndalem këtu, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kjo është një fjalë pak si e lartë dhe jo rrallë po më thonë pse po e përdor këtë term. Unë kam mirëkuptim për ata që më pyesin, por pse e përdor unë? Sepse ne kemi një regjim monist, monist, që ka vendosur sistemin defakto të eliminimit të votës. Ju që të gjithë e njihni procesin elektoral. Por nëse unë kryeministër mobilizoj të gjithë makinerinë shtetërore dhe ti drejton një forcë politike e matesh me mua, unë me një logjistrikë 100-herë më të madhe se tënden, me një buxhet sa buxheti i shtetit, kjo zgjedhjet i bën fiktive se zgjedhjet kanë një kusht themelor; lojtar në kushte të barabarta”, theksoi Berisha.
/rtsh.al/