Rama për median italiane: S’mund të presim shkatërrimin e Ukrainës apo rënien në gjunjë të Rusisë për kompromis

“Arritja e një kompromisi mes Kievit dhe Moskës është ende i mundur”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për median italiane TPI.
“Nuk duhet të presim që një nga dy pretendentët të shembet për të nisur negociatat”, tha Rama.
Kryeministri thotë se lufta në Ukrainë prodhon një situatë mjaft të paqëndrueshme. Për shkak të historisë së Shqipërisë, tha Rama, ndërsa shtoi se për shkak të diktarurës shqiptarët janë “të ftohtë” me Rusinë.
“Pikëpamja jonë është krejtësisht e ndryshme nga e juaja për këtë çështje. Së pari për një arsye historike. Pikëpamja jonë, e cila nuk duhet harruar kurrë, është ajo e një vendi që është rritur jashtë botës perëndimore. Dhe në Shqipëri, siç dihet, regjimi ynë, i drejtuar nga Enver Hoxha vendosi një ditë të prishë të gjitha marrëdhëniet me zonën perëndimore dhe të zgjedhë “kampin e Stalinit”. Ne kemi pasur përvojën e tmerrshme të një komunizmi të vërtetë që ka mbijetuar deri në fund, që është përpjekur t’i rezistojë edhe rënies së murit.
Ai i një regjimi që e kishte shndërruar vendin tonë në Korenë e Veriut të Evropës! Le të themi se edhe për këto arsye historike ne shqiptarët kemi një marrëdhënie edhe sot shumë ftohtë me Rusinë. Putini nuk është shumë i dashur për shqiptarët, gjithashtu dhe mbi të gjitha për këto arsye që sapo përmendëm. Popullariteti i presidentit të Federatës Ruse te shqiptarët është zero pikë shtatë për qind. Putin, pra 0.7 për qind e qytetarëve tanë e pëlqejnë atë!. Për 99 për qind të shqiptarëve, Vladimir Putin është … dikush që nuk është mirë.””, tha Rama.
Rama tha se Rusia tentoi të ndryshonte regjimin në Ukrainë përmes blerjes së oligrakëve dhe partive, por nuk arriti të blinte dot ukrainasit dhe kjo ndikoi edhe në rrjedhën e luftës, ku sot Ukraina vijon ende t’i rezistojë pushtimit.
“Në prag të pushtimit, fola me një nga sundimtarët e një vendi kufitar të Ukrainës, emrin e të cilit padyshim nuk mund ta jap. Dhe ky person më kishte thënë fjalë për fjalë, në bazë të burimeve të drejtpërdrejta: “A e dini se Putini ka investuar 25 miliardë euro për të përgatitur terrenin që ndryshimi i regjimit të arrihet me ndërhyrje?”. Unë thashë: mund të jenë 25 ose 100 miliardë, asgjë nuk do të ndryshojë, sepse e di mirë se si janë ukrainasit”.
Ishte e qartë se ishte një shumë e madhe. Por ishte e qartë se Putini i nënvlerësoi kundërshtarët e tij dhe se ai nuk kuptonte asgjë nga psikologjia e njerëzve që kishte vendosur të pushtonte. Unë në thelb isha i bindur, shumë përpara se të shpërthente lufta, se ukrainasit nuk do ta linin veten të bliheshin dhe se nuk do të kishte ndryshim regjimi që do të lejonte Moskën të instalonte një qeveri miqësore.
Ky gabim i rëndë fillestar i të kuptuarit, siç është evidente, ndikoi jashtëzakonisht shumë në rrjedhën e luftës në muajt në vijim, deri më sot”, tha Rama.
Lidhur me këcënimet bërthamore të Rusisë, Rama tha se i trembet, pasi “është pikërisht kjo frikë që Vladimir Putin sot po luan bastin e tij taktik dhe gjithashtu politik”.
Në fund, Rama tha se “ Perëndimi duhet të punojë për një zgjidhje që mund të arrihet pa pritur që Ukraina të shkatërrohet dhe pa pritur të bjerë në gjunjë Rusia. Asnjëra nga të dyja, as të dyja në të njëjtën kohë”. Unë besoj se kjo hapësirë e hollë midis dy fronteve kundërshtare ekziston dhe se një marrëveshje paqeje mund të arrihet pa braktisur Ukrainën”.
/rtsh.al/