Bariç paralajmëron Taren dhe Skelën

Trajneri i kombëtares shqiptare, Oto Baric, i cili mbërriti dje në vendin tonë dhe pasi mbajti sot një referta për rreth 1 orë në kursin e trajnerëve "UEFA B" që po zhvillohet në Kompleksin Stërvitor të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, zhvilloi në mesditë një takim në Federatën Shqiptare të Futbollit. Tekniku kroat u takua kokë më kokë me shefin e Ekipeve Kombëtare në Federatë, Besnik Cela dhe me zv/trajnerin kuqezi Shpëtim Duro për të biseduar rreth lojtarëve që kanë konfirmuar dhe që janë në dyshim për ardhjen e tyre në grumbullimin dhjetë ditor të Antalias. Pas këtij takimi, Baric doli në një konferencë për shtyp përpara mediave për të sqaruar fillimisht "incidentin" që i ndodhi pas mbërritjes në aeroportin "Nënë Tereza" duke deklaruar se kishte ardhur në Tiranë me një mikun e tij dhe jo me makinë të rastit ashtu sic është shkruar në media. Ndërkohë që edhe kësaj here tekniku 74 vjecar ka kritikuar gazetarët shqiptarë për shtrembërimin e të vërtetës dhe atyre që deklaron ai. "Përsa i përket asaj që lexova sot(dje) në shtypin shqiptar se unë isha harruar nga FSHF-ja dhe erdha në Tiranë me makinë të rastit mund të them se nuk është absolutisht e vërtetë. Federata ishte përgatitur 100% për ardhjen time, por duke qenë se në avion kisha udhëtuar me djalin e një miku tim kur zbrita në aeroport miku tim më ftoi që të udhëtoja me të deri në kryeqytet. Unë pranova dhe kështu që erdha me të. Në kohën që do të hipja në makinën e tij morra në telefon Ajet Xekën dhe i thashë që të lajmëronte shoferin e Federatës që ndodhej në aeroport se unë do të udhëtoja me makinën e një miku tim. Kjo është e gjitha. Më vjen shumë keq që këtu gjërat ekzagjerohen shumë" shpjegoi "incidentin" tekniku kroat. Më pas Baric foli për grumbullimin e Antalias dhe synimin që ka zhvillimi i këtij zbori. "Kemi hartuar një listë me 25 lojtarë që ju tashmë do ta keni në dorë. Duke qenë se kjo periudhë nuk është parashikuar si e lirë nga UEFA janë hasur vështirësi për grumbullimin e lojtarëve. Ky zbor dhjetë ditor organizohet dhe më shërben mua që të njoh sa më mirë lojtarë të ndryshëm që nuk më është dhënë mundësia që ti shikoj më parë. Futbollistë si Migen Memelli apo shumë të tjerë që unë nuk i kam vëzhguar asnjëherë dua që ti shikoj në stërvitje. Ndërkohë që disa lojtarë të tjerë nuk mund të vijnë pasi janë të angazhuar në fazë përgatitore me ekipet e tyre. Në Antalia përvec stërvitjes do të zhvillojmë edhe tre ndeshje miqësore që do të më shërbejnë të krijoj një ide më të qartë për lojtarët. Në këtë grumbullim marrin pjesë edhe disa talente që aktivizohen nëpër klube të ndryshme europiane dhe unë kam nevojë që ti shikoj dhe më pas të vendos se ai apo ky është i vlefshmë për ekipin përfaqësues A". Ndërkohë që i pyetur për të ardhmen e kapitenit Igli Tare dhe të mesfushorit Ervin Skela në kombëtaren shqiptare, pasi këta të fundit po kalojnë një periudhë të keqe në klubet ku luajnë, kryepankina kuqezi u përgjigj: "Unë i ndjek cdo javë lojtarët shqiptarë që luajnë në kampionatin italian dhe atë gjerman. E kam parë dhe e di shumë mirë që Tare nuk luan dhe nuk ka bërë gola. Gjithashtu edhe Skela është duke kaluar një momenet të keq pasi është i sëmurë. Mund të them se asnjë futbollist nuk mund të luajë në ekipin kombëtar kuqezi në ndeshjet kundër Sllovenisë apo kundër Bullgarisë nëse nuk aktivizohet me klubin në të cilin ai bën pjesë. Për të zëvendësuar këta kemi Kapllanin apo Berishën që i kam ndjekur cdo javë dhe kanë shënuar gola. Do ti shoh këta dhe lojtarët e tjerë në zborin e Antalias dhe më pas do të vendos. Ashtu edhe sic e thashë e rëndësishme është që asnjë futbollist nuk do të luajë me kombëtaren nëse nuk aktivizohet ose nuk shënon gola me klubin e tij" përfundoi kroati.
Besar Bozgo