E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lazar Mitrovski lirohet, ne dyshim e ardhmja e Katanec

Shkup– Është liruar të mërkurën në mbrëmje vonë nga biseda informative sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Lazar Mitrovski. Ai tha se në polici ka qëndruar rreth dhjetë orë, ndërsa policia janë sjellë në mënyrë korrekte ndaj tij.
"Në polici kam qëndruar nga ora 10 deri në ora 20 e 30 minuta, ndërsa në bisedë jam mbajtur 5 minuta. Gjithcka ishte në rregull dhe unë tani jam
në detyrën time. Shumë shpejt do të kemi një takim me këshillin drejtues ku do të dalim me një komunikatë për opinion, për të gjithë atë që ndodhi këtyre ditëve në shtëpinë e futbollit", është shprehur sekretari i përgjithshëm i FFM-së, Lazar Mitrovski. Ndërkohë ditë më parë në vizitë pune në Federatën e Futbollit të Maqedonisë ka qëndruar Agjencia për Rini dhe Sport. Kontrollimin e kanë kryer komisioni mbikëqyrës në përbërje: Vase Eftimov – kryetar, Tatjana Bllazhevska –anëtare dhe Sabri Alimi – anëtar. Ky i fundit tha se kanë qenë në vëzhgim si në cdo Federatë të Sporteve të Maqedonisë dhe se ishte një kontroll rutin sic iu bëhen edhe federatave të tjera në vend.
"Në Maqedoni ekzistojnë 43 federata dhe ne bëjmë vëzhgimin e tyre. Pra kështu ishte edhe me FFM-në. Në bazë të dokumentacioneve të deritanishme nuk kemi hasur në ndonjë parregullsi. Ne i kemi marrë edhe dokumentet tjera, pra statutin dhe të gjitha rregulloret tjera me të cilat FFM-ja kryen aktivitetet e saja. Në analizat tjera që do t'i bëjmë do të shohim se a ka pasur keqpërdorime nga drejtuesit e FFM-së. Detyra jonë është aspekti juridik dhe nëse ka dicka negative, atëherë ua përcjellim organeve kompetente që merren me këto punë", ka thënë Sabri Alimi.
Ndërkohë edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka pohuar se Lazar Mitrovski është liruar dhe se tani do të merren aktivitete për të vërtetuar se a ka pasur keqpërdorime eventuale ose jo. Lidhur me ndodhitë e fundit ka reaguar edhe seleksionuesi Katanec, i cili ka pohuar se nëse ndërrohen Mitrovski dhe Risteski edhe ai do të largohet.
"Nuk dua të punojë me njerëz të tjerë. Mua në këtë detyrë më kanë sjell Risteski dhe Mitrovski dhe do të largohem bashkë me ata të dy", ka thënë slloveni Katanec.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›