E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baritoni i padëshiruar

Baritoni rus, Evgeny Nikitin (30), i cili në hapje të festivalit muzikor në qytetin gjerman Bayreuth ishte paraparë që të interpretonte rolin kryesor në operën “Holandezi Fluturues”, të kompozitorit gjerman, Richard Wagner, hoq dorë nga kjo gjë, për shkak të tatuazheve me simbole naziste që i ka nëpër trup.

Në një emision televiziv gjerman të shtunë u emetua xhirimi i vjetër i një koncerti, në të cilin shihej se si Nikitin, i cili ishte i zhveshur deri në bel, performonte në timpanet enjë rok grupi rus, përderisa në trup i shihej tatuazhi i svastikës naziste, e cila ishte mbuluar pjesërisht me një simbol tjetër.

Ndryshe, shfaqja publike e simboleve naziste në Gjermani paraqet vepër penale.

Organizatorët e festivalit në Bayreuth njoftuan publikun se baritonit rus, Evgeny Nikitin, ia kanë “sqaruar domethënien e simboleve në kontekstin e historisë së Gjermanisë”, dhe se vendimi i këngëtarit operistik është në pajtim të plotë me përjashtimin e çfarëdo forme të ideve naziste, një parim ky që organizatorët i përmbahen me përpikëri.

Festivali aktualisht drejtohet nga dy stër-strëmbesat e kompozitorit të famshëm, Eva Wagner-Pasquier dhe Katharina Wagner.

E kaluara naziste paraqet një çështje të ndjeshme për festivalin e muzikës në Bayrouth, tëp cilin e themeloi kompozitori Richard Wagner, në vitin 1872, dhe në krye të të cilit gjatë periudhës së pushtetit nazist ndodhej gruaja e djalit të kompozitorit, Zigfrida Wagner, e cila e adhuronte Adolf Hitlerin.

Gjatë kohës së udhëheqjes së festivalit nga ana e saj, Hitleri jo vetëm që ndihmoi në financimin e festivalit, por edhe gëzonte të drejtën e ndërhyrjes gjatë marrjes së vendimeve artistike.

Në një kumtesë të shkurtër, që u lëshua nga organizatorët e festivalit,l Nikitin sqaroi se tatuazhet i kishte bërë në kohën kur ishte i ri.

"Ishte ky gabimi më i madh në jetën tim, të cilin do të dëshiroja të mos e kisha bërë kurrë”, thekson Nikitin.

"Vërtet nuk isha i vetëdijshëm për nivelin e konfuzionit dhe dhembjes që mund të shkaktonin këto simbole, veçanërisht në Bayreuth dhe në kontekstin e vetë historisë së festivalit”,sqaron ai tutje.

Në sferën artistike, Richard Wagner konsiderohej si njëri ndër simbolet e regjimit nazist gjerman, ndërkohë që vet fyreri, Adolf Hitler, ishte një adhurues i madh i muzikës së tij, por edhe për shkak se mbështeste teorinë naziste për pastërtinë e racës gjermane. Vetë Hitler i adhuronte kompozimet e tij, për shkak të miteve gjermane që Wagner i përpunonte në veprat e tij muzikore, kështu që ato shërbenin edhe si njëlloj muzike zyrtare e Rajhut të Tretë, gjegjësisht ishte një muzikë që drejtpërsëdrejti aludonte në idetë e nacionalsocializmit gjerman, mbi të cilin u ndërtua ideologjia fashiste.

Festivali i Muzikës në Bayreuth ishte themeluar nga Wagner me qëllim që atje të kultivohej trashëgimia e tij artistike. Gjatë periudhës mes viteve 1933 dhe 1939 Adolf Hitler ishte vizitor i rregullt i këtij festivali.

Vitin e kaluar Orkestra Kamertale i Izraelit vendosi të ndërprite traditën disa dekadëshe për bojkotimin e veprave të kompozitorit gjerman, Richard Wagner, duke u shfaqur në këtë festival. Në vitin 2011, në festivalin në Bayreuth orkestra izraelite interpretoi veprën klasike 20-minutëshe të Wagner “Siegfried Idyll”.

Edicioni i sivjetmë i festivalit hapet këtë të mërkurë, ndërkohë që ende nuk është bërë e ditur se kush do të interpretojë në vend të Nikitin në operën “Holandezi Fluturues”. Organizatorët e festivalit njoftuan se, drejtori i festivalit, Jan Philipp Gloger, beson se “dëmi artistik që iu shkaktua produksionit është tepër i madh”, dhe se ai s’do të mund të riparohet plotësisht para premierës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›