T’fala prej Kosove

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, përgëzoi piktorin Llalloshi për punën e bërë, derisa shprehi kënaqësinë e tij që, si Ministri e Diasporës arritën që, në kuadër të shënimit të Ditëve të Mërgatës, të shpalosin edhe një pjesë të krijimtarisë së piktorëve që jetojnë jashtë vendit.
“Është në interes jo vetëm të Ministrisë së Diasporës, por edhe të opinionit në Kosovë, që pjesa e krijimtarisë që krijohet nga njerëzit tanë gjithandej botës të paraqitet edhe para opinionit kosovarë. Në këtë kuadër, Ministria e Diasporës ditëve në vijim, por dhe në periudhat e ardhshme kohore, do të përpiqet që përpos përkrahjes në paraqitjen e krijimtarisë së krijuesve tanë jashtë vendit, që është e bollshme, gjatë gjithë kohës të përkrahë edhe aktivitetet e tyre të mëtutjeshme”, tha Makolli.
Pos kësaj, ministri Makolli ftoi të gjithë krijuesit që veprojnë jashtë vendit që me krijimtarinë e tyre të paraqiten para opinionit kosovarë, si pjesë e aktiviteteve që organizohen në kuadër të Ditëve të Mërgatës. Kjo, në mënyrë që ata të kenë mundësi të njihen me opinionin kosovar, i cili do të kishte mundësi t’i njihte ata dhe t’i përjetonte krijimet e tyre. Veç kësaj, ministri i ftoi ata që të jenë të pranishëm në ditën qendrore të mërgatës, e cila do të mbahet më 4 gusht, në Prekaz.
Nga ana e tij, piktori Gani Lalloshi tha se ishte dëshirë e tij e kamotshme ka që punën e bërë ta prezantonte para opinionit kosovar, kështu që hapja e kësaj ekspozite personale në Prishtinë bën që ai të ndjehet shumë mirë.
“Dëshira ime gjithmonë ka qenë që punën time ta sjell edhe në Prishtinë - në vendlindjen time. Thënë të drejtën, jam gëzuar shumë”, u shpreh Llalloshi.
Ndryshe, pikturat e piktorit Llalloshi do të ekspozohen edhe nëpër qendra të tjera jashtë Kosovës. Ai ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive dhe individuale, dhe për punën e bërë është nderuar me shumë çmime.