Barnat e rimbursueshme, ilaçet e përfshira në listën 2011
Zbardhet projektlista e re e barnave me rimbursim për vitin 2011, që pritet të miratohet së shpejti edhe nga qeveria, për të hyrë në fuqi brenda këtij muaji. Në total, lista e re e barnave të rimbursueshme do të përmbajë mbi 400 medikamente, midis të cilëve janë përfshirë edhe 24 barnat e reja, që propozohet të futen për herë të parë në skemën e rimbursimit. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, megjithëse ndryshimet në listën e re të barnave të rimbursueshme nuk do të jenë të mëdha, prioritet i saj do të jenë të sëmurët kronikë. Kështu, sipas propozimeve të bëra, rezulton se kategoritë prioritare nga lista e rimbursimit do të jenë pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike, si: sëmundjet e zemrës, tensionit, diabetit, anemitë e ndryshme, sëmundjet e gjakut, sëmundjeve të mushkërive, si dhe sëmundjes së rëndë të kancerit dhe insuficiencat renale. Përveç moshës së tretë, përfitues të barnave me rimbursim do të jenë edhe fëmijët e vegjël, sipas kategorizimeve përkatëse që do të bëhen. Megjithatë, specialistët theksojnë se lista edhe për 2011-n do të përfshijë barnat e domosdoshme për pacientët që janë pjesë e skemës së sigurimeve, ndërkohë që do të përfshijë edhe barnat alternative në rastet e mungesës së efikasitetit të barit, reaksioneve alergjike dhe pamundësisë së përdorimi të llojeve të caktuara që janë përdorur gjatë vitit të kaluar. Përsa i përket masës së rimbursimit, sipas përcaktimeve të bëra, edhe për listën e vitit 2011, masa e rimbursimit të barnave do të vijojë të jetë e përshkallëzuar nga 50 deri në 100% të medikamentit, kjo në varësi të kategorisë së përfituesve. Kështu, barnat e listës do të ofrohen falas për fëmijë 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët. Po ashtu, të gjitha barnat falas do të shkojnë edhe për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës, si dhe për një sërë personash të tjerë, si për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozës multiple, talasemisë major. Ndërsa kategoritë e tjera do të përfitojnë rimbursim të pjesshëm, në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50% e medikamentit. Për vitin 2011, buxheti i ISKSH-së është parashikuar në shumën 27.4 miliardë lekë ose me një rritje, krahasuar me vitin 2010, prej 7%. Me këtë rritje, sipas ISKSH-së, do të bëhet e mundur rritja tjetër e pagave të punonjësve të shëndetësisë, mesatarisht 4-5 %, ndërkohë që rritje do të ketë dhe për zërin e rimbursimit të barnave për të cilat parashikohet të përdoren 6.7 miliardë lekë. Krahasuar me vitin e kaluar, për 2011-ën, fondi për listën e barnave me rimbursim do të rritet me 14%.