E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia pa shpresë, arkëtimi arrin 21 miliardë lekë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 04-04-2011 13:22

Kredia pa shpresë, arkëtimi nga bankat arriti në fund të muajit shkurt në 21 miliardë lekë, sipas të dhënave nga shoqata e bankave. Vlera neto e kredive të humbura nga muaji në muaj po rritet, për shkak se huamarrësit nuk po kthejnë rregullisht kreditë e marrë para tre katër vitesh. Vitet 2005, 2006 dhe 2007, kredia për ekonominë nga bankat e nivelit të dytë kulmoi. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe në këto humbje i takon moskthimit të kredisë nga bizneset, për shkak se ata zotërojnë edhe pjesën më të madhe të kredisë së dhënë nga bankat. Në përqindje, kredia e keqe në fund të vitit që shkoi, rreth 14.5 për qind, sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Cilësia e kredisë vijon të jetë rreziku kryesor, i cili i kanoset bankave në vendin tonë. Banka e Shqipërisë, në një analizë për rreziqet që i kanosen sistemit bankar, vlerëson se, kreditë e këqija janë e keqja më e madhe e bankave në vendin tonë. Kreditë me probleme arrijnë mbi 14 për qind të totalit të kredisë. Si rezultat i perceptimit më të lartë të rrezikut të kreditit, sektori bankar ka ulur ritmin vjetor të rritjes së kredisë, ka shkurtuar afatin mesatar të maturimit të saj dhe ka ulur më tej kredinë për konsum”, sqaron Banka e Shqipërisë. Fondet rezervë për mbrojtjen nga rreziku i kreditit janë rritur. Banka e Shqipërisë thekson se, bankat duhet të vazhdojnë monitorimin e kujdesshëm të ecurisë së cilësisë së kredive dhe të krijojnë në kohën e duhur fondet përkatëse rezervë. Por duke qenë se, dy vitet e fundit kredia për ekonominë ka ardhur në rënie po ngushtohet raporti i kredive të reja me kreditë që po shlyhen. “Zvogëlimi i raportit të kredive të shlyera ndaj kredive të reja, ka shënuar në fillim të këtij viti nivelin më të ulët të 2 viteve të fundit”, thuhet në një raport të Bankës së Shqipërisë. Përmirësimi i ndjeshëm i kreditimit në valutë, krahasuar me vitin 2010, reflekton edhe situatën e mirë të likuiditetit në valutë të sistemit bankar, vlerëson Banka e Shqipërisë. Sipas saj, rritja e kreditimit në monedhë të huaj për sektorin privat ka shërbyer kryesisht për financimin e projekteve të investimit të bizneseve. Kreditimi në valutë për individë vijon të jetë i përmbajtur, duke reflektuar një sjellje të kujdesshme në drejtim të huamarrjes në monedhë të huaj, si nga bankat, ashtu edhe nga individët. Ndërkohë kreditimi në lekë është duke shfaqur ngadalësim të normave të rritjes, krahasuar me vitin 2010. Kostoja e kreditimit në lekë, edhe pse ka qenë në rënie gjatë kësaj periudhe, vazhdon të jetë më e lartë se çmimi i kredisë në euro, duke favorizuar preferencën për kredi në monedhë të huaj. Kredia dhënë bizneseve ka vazhduar të jetë burimi kryesor i zgjerimit të portofolit të kredisë së sistemit bankar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2010. Kredia e dhënë për biznese është përdorur kryesisht për qëllime investimi, ndërkohë kreditimi për nevoja likuiditeti ka shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes vjetore. Shpërndarja sektoriale portofolit të kredisë tregon se tregtia vijon të jetë sektori më i kredituar i ekonomisë, në linjë kjo dhe me kontributin më të madh që jep ky sektor në PBB. Po kështu, përmirësim të ritmeve të rritjes janë vërejtur për sektorët e industrisë dhe të ndërtimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›