Barnat e rimbursueshme, të sëmurët kronikë më të favorizuarit
Barnat e rimbursueshme të këtij viti do të jenë në duart e qytetarëve brenda muajit shkurt. Lista tashmë ka përfunduar dhe pas zgjidhjes së ngërçit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe grosistëve pritet vetëm firma e Kryeministrit. Por mësohet se edhe ky hap do të përmbushet në mbledhjen e ardhme të Këshillit të Ministrave, ditën e mërkurë.
Lista
Mësohet nga specialistët se edhe këtë vit prioritet do të jenë të sëmurët kronikë, ku edhe pjesa më e madhe e medikamenteve të rimbursuara shkojnë për ta. Fëmijët, pensionistët, por edhe disa sëmundje të tjera kanë gjetur rimbursim në listën e ilaçeve të rimbursueshme.
Edhe këtë vit lista ka barna mjaft të shtrenjta, por mbi të gjitha do të trajtohen qindra pacientë me sëmundje të rënda, barnat për trajtimin e të cilave futen për herë të parë në listën e rimbursimit, janë 16 alternativa të reja. Në listën e vjetshme rimbursoheshin rreth 95% e barnave të sëmundjeve kronike. Ndërsa nga viti në vit është rritur numri i diagnozave të mbuluara me trajtim mjekësor të rimbursuar dhe kryesisht sëmundjeve kronike.
Gjithashtu kanë qenë përfshirë kryesisht barnat që trajtojnë sëmundjet e leucemisë kronike, trajtimi për mosplakjen e organeve të transplantuara, si dhe trajtimi i infeksioneve post-transplantive. Përpos barnave që mbulojnë diagnoza të reja dhe kombinime të reja të mjekimit, në këtë listë janë shtuar doza të reja të barnave që janë në listë, të cilat kanë përdorim më të përshtatshëm për fëmijët, të sëmurët kronikë etj., duke sjellë një përmirësim të cilësisë së shërbimit.
Buxheti
Me shtimin e barnave të reja, si dhe bazuar në konsumin e barnave të rimbursueshme të vitit të kaluar e duke pasur parasysh rritjen natyrale të sëmundshmërisë, për rimbursimin e barnave për vitin 2010 do të nevojiten jo më pak se 5.3 miliardë lekë të reja. ISKSH-ja do të monitorojë në vazhdimësi ecurinë e rimbursimit, pasi ky hop sasior dhe cilësor në listën e barnave ka efekte financiare të konsiderueshme.
Sipas Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, lista e re e barnave jo vetëm rrit numrin e barnave që rimbursohen nga ky institut, por mbi të gjitha përmirëson ndjeshëm cilësinë e shërbimit për popullatën.