Vritet me dy plumba pistolete profesori i atletikës
Sapo kishte dalë nga lokali për t’u futur tek makina e tij, kur është ekzekutuar me pistoletë. Viktima e këtij sulmi është 56-vjeçari Hasan Rakipi, i cili ishte profesor i atletikës. Ai kishte mbaruar stërvitjen, në fushën e Kamzës, rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme, kur ka shkuar së bashku me dy miqtë e tij për të pirë një kafe, në një lokal të zonës, afër shkollës profesionale të agro-biznesit. Autori i krimit e ka qëlluar nga shumë afër viktimën, ku plumbat e kanë kapur në kokë e gjoks duke i marrë jetën. Më pas, ai është larguar në drejtim të paditur, duke iu shmangur arrestimit të policisë. Plagët e shkaktuara nga arma kanë qenë vdekjeprurëse, duke i marrë kështu jetën profesorit të atletikës. Viktima banonte në Brrakë, në periferi të kryeqytetit, ndërkohë që merrej me stërvitjen atletike të të rinjve në fushën sportive të Kamzës.
Ngjarja
Rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme, Hasan Rakipi, pasi ka mbaruar stërvitjen e ekipit të tij, së bashku me një përfaqësues të Federatës Shqiptare dhe një shok tjetër, janë drejtuar për tek një lokal, anës rrugës, përballë fushës stërvitore në Kamzë. Sipas dëshmitarëve, të tre kanë ndenjur për disa kohë aty, e më pas janë çuar nga tavolina. 56-vjeçari ka dalë nga lokali, për të shkuar tek makina e tij, një shok ka ndenjur në tavolinë, ndërsa tjetri në tualet. Mjeti ishte parkuar përpara lokalit, rreth dy metra larg derës së kafenesë. Në lokal kishte klientë të tjerë, të cilët po qëndronin. Sipas dëshmitarëve, “kur Rakipi ka dalë jashtë, janë dëgjuar dy krisma pistolete”. Miqtë e tij kanë dalë jashtë dhe kanë gjetur viktimën të mbuluar nga gjaku, ndërkohë që përpjekjet për t’i dhënë ndihmën e parë kanë qenë të kota, pasi viktima humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Hetimet
Pas marrjes së informacionit se në zonën e Kamzës, afër shkollës së agro-biznesit tek fusha sportive kishte ndodhur një vrasje, menjëherë në vendngjarje shkoi policia e kryeqytetit. U ngrit një grup pune për të hetuar shkaqet e ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, viktima është qëlluar dy herë me pistoletë. Plumbat e kishin kapur atë në kokë e gjoks, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas hetuesve, arma e krimit është e llojit “TT”, ndërsa nga ekspertiza e kryer, autori e ka qëlluar viktimën nga afër, nga rreth një metër largësi. Sipas hetuesve, ka qenë duke hapur derën e pasme të makinës së tij, një “Benz” ngjyrë blu e errët me targa TR 65 34 N, kur është ekzekutuar. Sipas burimeve nga policia, po punohet për zbardhjen e këtij krimi, por ende nuk ka një të dyshuar. Janë shoqëruar në komisariatin e policisë, disa persona, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Policia po heton në disa pista, ku njëra prej tyre mund të jetë ajo e një konflikti të mundshëm të viktimës. Megjithatë do të jetë përfundimi i hetimeve që do të përcaktojë të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje. Vrasja e ndodhur në mbrëmjen e djeshme ka çuar në vendngjarje policinë e kryeqytetit, ku për të ndjekur punën kanë qenë drejtuesit më të lartë të policisë së qarkut.