E Shtunë, 31 Tetor 2026

100-vjetori, qeveria, festë dinjitoze Nënë Terezës

Qeveria do ta festojë në mënyrë madhështore jubileun e 100-vjetorit të Nënë Terezës, duke e kthyer Tiranën në një nga kryeqytetet kryesore, ku do të përkujtohet ky jubile. Për këtë argument është diskutuar në selinë e qeverisë mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Arqipeshkvit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Rrok Mirditës. Në takim u bisedua rreth përgatitjeve për festimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Rrok Mirdita i paraqiti Kryeministrit sugjerimin për një vlerësim të shtatores së Nënë Terezës, duke përzgjedhur një vend më të dukshëm në sheshin e kryeqytetit që mban emrin e saj. Gjithashtu u bisedua edhe mbi vendosjen dhe formën e memorialit të Nënë Terezës, i cili do të ngrihet në territorin e këtij sheshi. Në këtë takim, Rrok Mirdita i dhuroi Kryeministrit veprën e tij themelore në tre vëllime “Për një Shqipëri me Zotin”.
Nënë Tereza sjell kongresmenët amerikanë në Shqipëri
Liri Berisha, bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, përmes një interviste dhënë për “Zërin e Amerikës”, bëri të ditur se një grup anëtarësh të Kongresit Amerikan do të vijnë në Shqipëri për të marrë pjesë në festimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës në muajin gusht. Zonja Berisha është presidente e dy organizatave, Fondacionit Kulturor për Nënë Terezën, i krijuar prej saj dhe Fondacioni Fëmijët Shqiptarë. Ajo erdhi në Uashington, për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›