E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baronesha Ashton viziton Tiranën, Podgoricën e Shkupin

Vetëm 2 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vend, shefja e diplomacisë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Evropian, Catherine Ashton, do të vizitojë Tiranën. Prezenca e Ashton në Shqipëri, vjen në kuadër të një turneu ballkanik që zyrtarja e lartë e BE-së nis sot për të diskutuar mbi agjendën integruese të shteteve të rajonit.

Vizita e parë e Ashton do të jetë Podgorica ku vetëm një javë më parë Mali i Zi mbylli zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa pritet që më tej, përfaqësuesja e lartë e BE-së, të vizitojë Tiranën dhe Shkupin.

"Unë udhëtoj për në vendet e Ballkanit Perëndimor për të përforcuar angazhimin e BE-së për perspektivën evropiane të vendeve në rajon. Unë do të inkurajoj udhëheqësit e rajonit për të vazhduar procesin e reformës dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë", - tha Ashton në prag të vizitës së saj.

Në njoftimin zyrtar të zyrës së shtypit të Ashton, nuk përcaktohet nëse do të ketë vizitë në Prishtinë apo Beograd, pas dështimit të bisedimeve në Bruksel, të ndërmjetësuara nga vetë Baronesha, mes kryeministrit Thaçi e Daçiç, në kuadër të arritjes së një marrëveshjeje mes dy vendeve.

Por në njoftim theksohet se nëse do të ketë ndryshim të axhendës, pra ndalesa në shtete të tjera të rajonit, do të ketë deklarata në vazhdim.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›