SKANDALI/ Urdhri i Gjunkshit zhvesh ushtarët dhe i kthen në roje civile në hotele
Një urdhër i Shefit të Shtabit, Xhemal Gjunkshi, ai që në dokumentet e ambasadës amerikane akuzohej për ryshfete për të dërguar ushtarët tanë në misione jashtë vendit, ka firmosur një urdhër ku 150 ushtarë dhe forca speciale të repartit të Zall Herrit janë zhveshur civilë për të ruajtur hotelet dhe ambientet ku zhvillohet Kampionati Europian i Peshëngritjes.
Vetë Gjunkshi e ka pranuar një fakt të tillë në një intervistë për gazetën Dita, që ka publikuar skandalin.
Ne kemi pasur një kërkesë nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për sigurimin e aktivitetit dhe kemi lidhur kontratë me këtë Federatë. Efektivat i kemi dërguar civilë dhe shpenzimet janë përballuar nga Federata…, thotë Gjunkshi.
I pyetur se mbi çbazë ligjore e ka mbështetur urdhrin, ai thotë: Pohova se ai ishte një aktivitet i rëndësishëm e mbarëvajtja e tij, ishte në nder e në prestigj të vendit tonë….
Deputeti opozitar, Piro Lutaj, e quan këtë një skandal të rëndë.
Skandal i rëndë, pa precedent, ushtria mund të përdoret kështu vetëm në një shtet diktatorial. Merreni me mënd, ushtria zhvishet e dërgohet në aktivitete në kundërshtim me misionin kushtetues të saj. Por skandali është i shumëfishtë, ka interesa të drejtpërdrejta për gjeneralët e Imamit. Referuar urdhrit skandaloz, dokumentit të pikës së kontaktit, rezulton se përfituesit e këtij skandali, pra përfituesit nga kontrata e sigurisë së sportistëve, është një kompani që menaxhohet (nga vetë apo familjarë e të afërt) të Dritan Demirajt, Komandant i Batalionit Special të FA dhe numrit 2 të SHIU-t…, thotë Lutaj./ep
