E Diel, 1 Nëntor 2026

Baroso: Kosova unike. Thaci falenderon Emiratet Arabe

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose-Manuel Barroso deklaron se Kosova është rast unik dhe njohja e Kosovës nga shumë shtete është dëshmi që nuk kemi të bëjmë me rast precendet. Kryeminsitri kosovar Hashim Thaci falenderoi sot qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për njohjen e Kosovës sovrane dhe shprehu bindjen se shumë shpejt Kosova do të njihet dhe nga shtete të tjera arabe. 

PRISHTINE- Shumë shpejt vende të tjera myslimane do të njohin pavarësinë e Kosovës. Kryeministri kosovar Hashim Thaci beson se vendimit të Emirateve të Bashkuara Arabe do t’i bashkohen edhe shtetet e tjera arabe. Në një konferencë për shtyp Kryeministri Thaci falenderoi sot qeverinë e Emirateve të Bashkuara për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

“Ky falënderim dhe respekt shkon në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të qytetarëve të saj”, tha Thaci.

Ai beson se njohjeve të njëpasnjëshme, dhe të fuqishme, të Republikës së Kosovës, po ju bashkohen tani edhe shtetet arabe. “Ne fuqishëm besojmë, që njohja nga Emiratet e Bashkuara Arabe do të vazhdojë edhe me njohjet nga vendet tjera arabe”,theksoi kryeministri kosovoar.

Kreu i shtetit më të ri, i cili fitoi pavarësinë më 17 shkurt,beson se ky është rezultat i përpjekjeve diplomatike të institucioneve të Kosovës dhe mbështetjes nga partnerët e Kosovës. “Kjo tregon se Kosova ka vizion të qartë dhe ndikim diplomatik”, vazhdoi më tej kryeministri Thaçi.

Ai u shpreh se Kosova shpejt do të ndërtojë raporte bilaterale me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shtuar se vizioni i Kosovës është që sa më parë ajo të jetë pjesë e NATO-s.

“Republika e Kosovës do të ndërtojë raporte bilaterale me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe bashkëpunim të gjithanshëm për interesat e të dy vendeve dhe popujve tanë” theksoi Thaci duke shtuar se ishte i bindur se pas njohjes nga fqinjët, Mali i Zi dhe Maqedonia, Republika e Kosovës do të njihte dhe nga vende të tjera shumë shpejt.

Deri tani Kosova është njohur nga 51 shtete, mes të cilave dhe SHBA dhe shumica e vendeve të BE-së.
BRUKSEL

Edhe për Presidentin e Komisionit Europian Jose-Manuel Barroso është shumë domethënës fakti se Kosova është njohur nga shumica dërmuese e shteteve të Bashkimit Europian. “kjo është dëshmi se ky rast nuk mund të shërbejë si precedent për rajonet separatiste të Gjeorgjisë - Osetinë Jugore dhe Abkhazinë”- theksoi mbrëmë Presidenti i BE-së, Barroso pas takimit që zhvilloi me presidentin e Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili.

"Që nga fillimi kemi thënë se Kosova nuk mund të krijojë precedent. Konsiderojmë se nuk duhet tërhequr asnjë lloj paralele mes situatës në Kosovë dhe rajonet separatiste të Gjeorgjisë”- shtoi Barroso

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›