E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi fton parlamentet të njohin Kosovën

 

PRISHTINE-Kryetari i Kuvendit te Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi u ka dërguar letër kryetarëve të parlamenteve të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke u kërkuar, që ta bëjnë këtë tani.

Sic bëjnë të ditur agjencitë rajonale të lajmeve, në letrën e tij, Krasniqi ka nënvizuar se çështja e Kosovës ka lindur nga padrejtësitë historike të vitit 1913. Sic shkruan ai , gjatë këtij viti gjysma e kombit shqiptar dhe e territorit të tij, me dhunë iu aneksua Serbisë e më vonë Jugosllavisë.

"Nëntëdhjetë vjet të sundimit serb, Kosova ishte nën terror, shfarosje sistematike të popullsisë, shfrytëzim kolonial dhe shtypje të lëvizjeve të pareshtura çlirimtare", shkruan Krasniqi në letrën,në të cilën shtjellohen në detaje proceset që çuan deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

"Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe unë personalisht dëshirojmë të vendosim një dialog të vazhdueshëm politik dhe diplomatik me të gjitha parlamentet e botës me qëllim të njohjes së Republikës së Kosovës nga të gjitha vendet dhe të vendosjes së marrëdhënieve miqësore", thuhet në fund të letrës së Krasniqit drejtuar homologëve të tij në botë.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt, njohja e shtetit të ri u bë direkt nga dhjetra shtete. Sot numri i vendeve që njohin Kosovën Republikë të Pavarur është 51.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›