E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, skandali me tokat, dy prokurorë dorëhiqen: Nuk hetojme dot ministrat!

 

ATHINË- “Dorëzohen” dy prokurorë të një hetimi të rëndësishëm rreth pronave mes shtetit dhe manastirit. Agjencia e lajmeve, Reuters, bën të ditur se dy prokurorë, të cilët po hetonin lidhur me marrëveshje të dyshuara për tokën midis shtetit grek dhe një manastiri e dhanë dje dorëheqjen, duke theksuar se kërkesa e tyre për ta dërguar çështjen në parlament për të hetuar përfshirjen e ministrave ishte bllokuar.
Qeveria konservatore refuzoi dorëheqjet e tyre dhe i urdhëroi prokuroret që të vazhdojnë hetimin lidhur me faktin sesi manastiri i pasur Vatopedi u lejua të bënte miliona euro nga marrëveshjet.
Prokurorët Ilias Koliousis dhe Eleni Sotiropoulou theksuan se në letrën e tyre të dorëheqjes ata kishin zbuluar provat që lidhin çështjen me zëvendësministrat, ndaj të cilëve ata nuk kanë asnjë autoritet për t'i hetuar. Çështja ka nxitur tashmë dorëheqjen e një prej ministrave të kabinetit.
"Kryeprokurori i Gjykatës së Apelit të Athinës na ka urdhëruar të rihapim hetimin, duke shpërfillur opinionin tonë se mund të ketë përfshirje të ministrave", deklaruan ata.
"Meqenëse t'i bindemi këtij urdhri nënkupton shkeljen e kodeve ligjore, po japim dorëheqjen", shtuan ata.
"Kjo çështje duhet të ishte paraqitur nëpërmjet prokurorit të Gjykatës së Lartë të vendit në parlament, organi i vetëm i kualifikuar për të kryer këtë hetim", deklaruan ata.
Kyriakos Karoutsos, kryeprokurori i Gjykatës së Lartë të Athinës, theksoi të hënën mbrëma se i kishte udhëzuar dy prokurorët lidhur me mënyrën sesi të kryejnë një hetim të ri dhe caktoi një gjykatës së ri për ta mbikëqyrë atë.
Prokurori i Gjykatës së Lartë, Yiorgos Sanidas, i caktuar dy vite më parë nga qeveria, theksoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të çuar çështjen në parlament dhe nuk kishte asnjë provë që ministrat ishin të përfshirë në këtë aferë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›