E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barrierat biznesore ndërlidhen me korrupsionin

Nga Express më 26 qershor 2011 në ora 21:00

Derisa shifrat zyrtare flasin për një numër të madh të ndërmarrjeve të falimentuara, ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se falimentimi i bizneseve ndodh si rezultat i shumë barrierave që po përcjellin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.

Ata thonë se barrierat institucionale që ndërlidhen me korrupsionin, informalitetin, evazionin fiskal, janë disa nga pengesat që ndikojnë drejtpërsëdrejti në pozitën konkurruese të ndërmarrjeve të falimentuar. Sipas tyre, duke marrë parasysh normat e larta të interesit dhe infrastrukturën, në Kosovë ekziston një mjedis i pafavorshëm për biznes.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Alban Hashani, nuk e cilëson edhe problem të madh se përse falimentojnë bizneset, pasi që kjo ndodh edhe në vende tjera, por sipas tij problem mbetet, kur kjo shndërrohet në dukuri.

“Ekziston një mjedis i pafavorshëm për krijimin e bizneseve në Kosovë dhe ne vazhdimisht kemi identifikuar disa lloj barrierash, të cilat janë në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Së pari, janë ato barriera që ne i quajnë institucionalë që ndërlidhen me korrupsionin, informalitetin, evazionin fiskal, të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në pozitën konkurrues të këtyre ndërmarrjeve”, ka thënë Hashani.

Ndër shkaqet tjera që çojnë ndërmarrjet drejt falimentimit janë edhe ato infrastrukturore, siç është problemi me mungesën e energjisë elektrike, infrastrukturën rruge, të cilat rrisin koston e prodhimit. Por si pengesë për zhvillimin e bizneseve, Hashani përmend edhe normat e larta të interesit.

“Një problematikë tjetër është qasja në burimet e financimit, do të thotë është një barrierë e cila vazhdimisht po ngritet në rangun e barrierave në Kosovë, dhe ne shohim se bizneset e reja apo ato që fillojnë e kanë të vështirë të gjejnë fonde që janë të përballueshme, për të marrë kredi dhe periudha e tyre është shumë e shkurt. I marrin me interes shumë të lartë dhe i paguan shumë shpejt”, ka thënë Hashani.

Ai thotë se kjo ndërlidhet edhe me barrierat që kanë të bëjnë me kufi, dhe dogana, sepse bizneseve ende pa iu arritur malli nga jashtë, atyre veç ju servisohet borxhet në banka. Sipas tij, kjo krijon vakum që firmat fillestare e kanë vështirë ta përballojnë dhe rrjedhimisht detyrohen të dalin nga tregu.

I po të njëjtit mendim shprehet edhe eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku, i cili pos tjerash vlerëson se informaliteti krijon ndikim negativ në ekonominë e vendit ku sipas tij, dalja nga tregu i shumë bizneseve po tregohet si një proces i ndërlikuar.

Ai konsideron se bankrotimi si fenomen është i njohur për ekonominë e tregut, çka do të thotë se shumë kompani futen në treg dhe një numër i tyre dalin nga tregu si rezultat i bankrotit.

“Bankroti në Kosovë është si rezultat i pengesave të shumta biznesore, që mjedisi biznesor i Kosovës po ballafaqohet. Në rend të parë duhet të kemi parasysh se qasja në kreditim mbetet tejet e vështirësuar, kredit në Kosovë janë të shtrenjta, janë tejet të pavolitshme dhe janë të papërballueshme për bizneset e vendit”, ka thënë Sadiku.

Ai vlerëson se në qendër të vëmendjes duhet të jetë regjistrimi i bizneseve. Sipas tij është shumë e lehtë të bëhet regjistrimi i një biznes online, por me rëndësi është se sa do të mbijetojë një biznes i tillë në Kosovë, sa kohë do të funksionojë dhe sa do të jetë i suksesshëm.

Ndryshe, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, gjatë vitit 2010 janë regjistruar 7.672 biznese, kurse janë shuar 1 mijë e 380 sosh./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›