E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshton Gjykatën Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka fuqizuar një vendim të Gjykatës Komunale të Ferizajt për kompensimin e punëtorëve të Fabrikës së gypave. Vlera e kompensimit arrin shumën mbi 26 milionë euro, ndërsa privatizimi i kësaj ndërmarrjeje është bërë për 3.6 milionë euro. AKP-ja nuk pajtohet me këtë vendim. Nga Ismail Gashi më 27 qershor 2011 në ora 04:54

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka rënë në hall të madh. Me fuqizimin e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, Agjencia duhet të kompensojë punëtorët e Fabrikës së gypave në Ferizaj me mbi 26 milionë euro. E problem për AKP-në është shuma e kompensimeve, e cila është më e madhe sesa vlera e shitjes së kësaj fabrike. Saktësisht kjo fabrikë është shitur në vitin 2006 për 3.6 milionë euro. Udhëheqës të Agjencisë thonë se nuk mund të marrin mjetet nga shitja e ndërmarrjeve të tjera, vetëm e vetëm për t’i paguar këta punëtorë.

Shkëlzen Lluka, drejtor në AKP, nuk pajtohet me këtë vendim, për të cilin kanë kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese. Ai tregon se kanë marrë sqarimin se Agjencia në bazë të shitjes që është bërë nga privatizimi i asaj fabrike, do të kompensojë punëtorët e asaj ndërmarrjeje në bazë të vendimit të Gjykatës. “Duhet të ceket se paratë e mbledhura nga shitja e një ndërmarrjeje në likuidim, ashtu siç e parasheh edhe ligji, ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë kreditorët e mundshëm apo legjitimë në këtë rast, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që afirmon vendimin e Gjykatës Komunale të Ferizajt”, thotë drejtori Lluka.

Sipas tij, AKP-ja nuk mund të plotësojë kërkesat e një ndërmarrjeje në dëm të një ndërmarrjeje tjetër. “Paratë do të shpërndahen për aq sa është shitur, do të thotë 20 për qind kalojnë për punëtorët e ligjshëm dhe mbetja prej 80 për qind do t’u shpërndahet punëtorëve”, tha ai.

E në bazë të ligjit, Lluka thotë se paratë nuk mund të merren nga një ndërmarrje tjetër dhe të transferohen për përmbushjen e kërkesave të një ndërmarrjeje tjetër. Gjykata Kushtetuese ka fuqizuar vendimin e Gjykatës Komunale të Ferizajt, e cila ua njeh të drejtën e kompensimit punëtorëve të kësaj fabrike.

Vlera e kompensimit arrin shumën në 26 milionë euro, ndërsa fabrika është shitur në vitin 2006, për vetëm 3,6 milionë euro. Në sqarimin e vendimit të Gjykatës Komunale të Ferizajt, vendimi është cilësuar si i detyrueshëm nga Gjykata Kushtetuese, vendim ky që është prolonguar për nëntë vjet.

“Duke dështuar për një periudhë kaq të gjatë kohore në zbatimin e Aktgjykimit të 11 janarit 2002, autoritetet e duhura ua kanë privuar dispozitave të Nenit 31 të Kushtetutës dhe Nenit 6 dhe 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjithë efektin e tyre të dobishëm, siç ceket në aktgjykim. Si rrjedhojë, Gjykata konsideroi që vendimi final dhe i detyrueshëm i Gjykatës Komunale të Ferizajt duhet të ekzekutohet”, thuhet në sqarimin e GJK-së.

Mirëpo, sipas ekspertit të ekonomisë, njëkohësisht njohës i çështjeve të privatizimit, Isa Mulaj, statusi dhe roli i Gjykatës Kushtetuese në juridiksionin e Kosovës ende nuk është ekskluziv, ku një prej sferave që bie jashtë kompetencës së saj, është privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve që lidhen me to.

Sipas tij, detyrë e Gjykatës Kushtetuese është mbrojta e rendit kushtetues sipas Kushtetutës. “Nëse shikoni Kushtetutën e Kosovës, aty nuk përmendet gjë rreth këtyre ndërmarrjeve dhe privatizimit të tyre. Madje, Kapitulli IX – Marrëdhëniet Ekonomike – në dispozitat e neneve të saj, nuk e njeh fare ekzistencën e pronës shoqërore, qoftë tani apo në të kaluarën, por vetëm thotë se llojet e pronës përcaktohen me ligj.

Nëse është në pyetje me ligj, atëherë këtë e bën Ligji për Dhomën e Posaçme në Gjykatën Supreme, e cila është institucion i pavarur nga Gjykata Kushtetuese dhe me kompetenca ekskluzive ndaj AKP-së dhe mosmarrëveshjeve që lidhen me ndërmarrjet shoqërore”, thotë Mulaj. E AKP-ja sipas tij ka të drejtë të thotë se nuk mund ta bëjë këtë kompensim, sepse ndërmarrja është shitur dukshëm nën atë vlerë.

Vendimin e Gjykatës, Mulaj e ka konsideruar të nxituar. Ai mendon se së pari duhet të iniciohet ndryshimi i rregulloreve dhe ligjeve në fuqi, me të cilat rregullohet privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe zgjidhja e kërkesave ndaj tyre, e pastaj të bëhen kërkesa të tilla tek institucionet që do të pajiseshim me kompetenca dhe autorizime përkatëse.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›