E Diel, 1 Nëntor 2026

Barrikada Street Newswheel

Nga saktivista.blogspot.com

Shqipëria “hap dyert” për refugjatët

Tirana, Albania - Shqipëria deklaron se ka shanse që brenda 2010 të aplikojë një regjim më të lehtë vizash për shtetasit e Bashkimit Evropian. “Ne po ndjekim me vëmendje ecurinë e reformave në Bashkimin Evropian dhe mund të themi se ka njëfarë progresi, por hapa të tjerë janë të nevojshëm”, - deklaroi për Ballaboks News Agency, Majlinda Bregu, ministre e Zgjerimit në qeverinë shqiptare. Sidoqoftë, burime pranë autoriteteve të larta të Tiranës zyrtare thonë se diskutime të forta po zhvillohen, nëse politika e lehtësimit të vizave duhet aplikuar për të gjitha vendet njëlloj apo duhet të ketë disa diferencime. “Ne nuk mund t’i trajtojmë, fjala vjen, Portugalinë dhe Irlandën në të njëjtën mënyrë siç kemi vepruar me Suedinë dhe Austrinë”, - thotë për Ballaboks News Ortenca Trashaniku, eksperte e njohur e çështjeve të stërholluara evropiane pranë Institutit të Orientimit të Politikave në PD. Debatet që u vërejtën gjatë prezantimit të progres-raportit të Italisë të enjten e kaluar kanë të bëjnë me qëndrimin që do të mbajë Tirana ndaj fqinjëve problematikë të Adriatikut perëndimor. “Italia duhet të japë prova se po e lufton seriozisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe se do të zhvillojë një proces të rregullt gjatë zgjedhjeve të ardhshme”, - thuhej në një deklaratë të printuar nga zëvendësministri i Brendshëm, Fërdi Poni. Ndërkohë, ambasadori italian në Tiranë i tha medieve se vendi i tij do të ishte mirënjohës, nëse Shqipëria do t’i shtrinte dorën duke e lehtësuar regjimin e vizave me të. “Ne mund të ofrojmë mundësi të shumta bashkëpunimi”, - tha ambasadori italian, duke rreshtuar shanset që kompani shqiptare të shkarkojnë në lumenjtë italianë mbeturinat e punishteve të tyre, mundësitë që të mitur dhe gra të vobekta italiane të punojnë për më pak se 100 euro në muaj në kompani shqiptare që mund të instalohen në Itali, si dhe realizimin e dëshirës së Shqipërisë për të ndërtuar një central të vetin bërthamor brenda Koloseut në Romë.

Shqipëria i thotë “Jo!” Krizës

Houston, Albania - Bien të gjitha insinuatat keqdashëse se Shqipëria është prekur nga kriza ekonomike. Lajmi u përgënjeshtrua me përbuzje para dy orësh nga ish-presidenti amerikan, Xhorxh Dabëllju Bush, i cili deklaroi se ai zgjedh Shqipërinë si atdheun e tij të ri, një ishull paqeje dhe mirëqenieje, teksa gjithë bota dhe veçanërisht Amerika lëngojnë nën krizën e rëndë ekonomike. Deklarata u dha gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp drejtpërdrejt nga kasollja e tij në Teksas.

Ai pritet që të shpërngulet që këtë verë drejt Shqipërisë. Ndërkohë, autoritetet e Tiranës zyrtare, edhe pse nuk kanë bërë ndonjë deklaratë, nëse zoti Bush e ka nisur apo jo aplikimin për marrjen e shtetësisë shqiptare, kanë filluar përgatitje të ethshme për banesën e re të ish-presidentit. “E prisnim një lajm të tillë”, - deklaroi për Ballaboks News Agency - Gjeraqina Buçkëllonja, drejtoreshë e Sektorit të Internim-Dëbimeve pranë Ministrisë së Pushtetit Vendor. Buçkëllonja thotë se sektori i saj ka marrë të gjitha masat për krijimin e kushteve sa më dinjitoze të jetesës për banorin e ri dhe të nderuar që pritet t’i shtohet republikës. “Një zonë që fillon nga Vora dhe

përfundon në Porto Palermo është spastruar nga katundarët e padëshirueshëm, të shoqëruar edhe nga banesat e tyre, si dhe gjëja e gjallë”, - tha drejtoresha Buçkëllonja. Për të garantuar qetësinë e zotit Bush po punohet me intensitet. Disa rajone rebele që shtrihen në afërsi të autostradës, të cilët refuzojnë të largohen në drejtim të krahinave të tjera, po shpronësohen me anë të një serie zinxhir shpërthimesh, sipas përvojës tashmë të suksesshme të eksperimentuar në Gërdec.

G99 firmato Joni Peçi

Via Montenapoleone, Elbasan, Albania - Joni Peçi do të jetë kuratori i imazhit të fushatës së G99, sipas një burimi të sigurt të Ballaboks News Agency. Stilisti i njohur për eksperiencën e bollshme të shprehur në sfilata të shumta në semaforët e Milanos dhe te gropa e Hajdin Sejdisë mësohet se ka përpiluar një strategji të sofistikuar dhe tepër burzhuà për të ofruar një imazh më në fund të denjë për selinë e çunave nga jashtë shteti. “Do të jetë një kombinim ngjyrash dhe pëlhurash që të përshkojnë trupin me një elegancë dhe brishtësi që të ngjeth mishin, duke lënë pas vetes një aromë manjole të kombinuar me pakëz esencë tepër seksi prej zymbyli”, - mësohet se ka deklaruar Joni Peçi gjatë një komunikimi me chat online në mesenxher me shefin e gardërobës pranë G99, Kristaq Menderi. Vetë Menderi i tha Ballaboks News se ai personalisht e di se çfarë mrekullish është në gjendje të bëjë dora e njomë e Joni Peçit dhe me një modesti modeste u shpreh se kishte votuar pro kandidaturës së tij në mbledhjen e bordit, ku u vendos për kompaninë që do të fitonte tenderin për kurimin e imazhit të partisë. Fushata e drejtuar nga Joni Peçi për llogari të G99 do të nisë me një party tejet privé në ambientet ekskluzive të një apartamenti me verandë dhe me pishinë pranë një pallati te rruga e Kavajës. Të pranishmëve do t’u ofrohen pije të jashtme dhe do t’u lejohet të kullosin sytë mbi linjat e brishta të Peçit dhe mikeshave të tij që do të jenë të ftuara posaçërisht për evenimentin. Letra të shumta nga dega e G99 në Elbasan kanë kërkuar që një seancë e dytë e prezantimit të fushatës Peçi të organizohet edhe në zonën e tyre elektorale. “Për këtë kërkesë do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të bordit, të mërkurën tjetër”, - deklaroi ndërkohë Kristaq Menderi.

Ethet e mëngjeseve të së mërkurës, zbulohet talent i ri World Class

Nishtulla, Shkozet, Albania - Një lajmërim publik në faqen online bananevogel.com ka vërtetuar se këngëtarja e mirënjohur Madonna Shqiptare alias Elda Shabani do t’i japë një shans të debutojë, një zëri të ri, por premtues nga radhët e diasporës shqiptare në Zvicër. Bëhet fjalë për një talent të ri që konsiderohet si Çiljeta e re shqiptare dhe që quhet Vaçe Zela. Anonime deri dje, Zela ka marrë pjesë në disa koncerte në restorante të ndryshme të patriotëve shqiptarë në kantonin e Cyrihut, por sidoqoftë asgjë për t’u krahasuar me divat e vërteta të skenës shqiptare, si Rovena Stefa, Poni, motra e Greta Koçit dhe sidomos vetë Madonna shqiptare. Kënga do të jetë singëlli i parë pas daljes nga burgu të Madonnes, që kur ajo u arrestua vitin e kaluar për trafikim dhe për prostitucion në dëm të një të miture që quhej as me pak e as më shumë, por Shakira shqiptare. Menaxheri i Madonnës shqiptare, 2 Pac fieraku, ka deklaruar se Vaçja tashmë 70-vjeçare iu lut Madonnës që kur ajo ishte në qelitë e Cyrihut për një duet nën ritmet magjike të tallavasë. Kënga pritet të kompozohet nga i mirënjohuri Raxh Kapuri i Vithkuqit dhe do të dalë në treg në ditët e para të verës. Teksti është shkruar nga vetë Madonna dhe pritet të flasë për disa nga plagët më të rënda të shoqnisë kulturore shqiptare si burgu, mërgimi dhe prostituimi. Kjo këngë dyshohet të jetë vjedhur nga një vepër e Mandi Nishtullës, kompozuar nga Ad Sybardhi.

Stadiumi “Qemal Stafa”, një arenë cilësore për sportin elitar

Nga Liqeni, Tirana, Albania - Stadiumi “Qemal Stafa” do të rindërtohet sipas shëmbëlltyrës së Wimbelldonit. Stadiumi kombëtar do të prishet dhe mbi rrënojat e tij do të ndërtohet një kompleks i ri me një kapacitet prej 100 mijë vendesh. Arsyet e një investimi të tillë, sipas drejtorit të stadiumit, z. Fiqiri Shkallarja, janë për shkak të kërkesës së tifozëve për më shumë hapësirë. Madje një grup ultrasish të kombëtares, i njohur me emrin “Ishalla nuk hajmë gol” ka kërkuar që për ndeshjet që djemtë luajnë në fushën e tyre duhen qindra-mijëra vende, sepse aq i madh është interesimi. Rezultatet brilante të Kombëtares kanë bërë që i madh e i vogël, madje dhe i mesëm të kenë dëshirë të shkojnë në stadium dhe 20 vendet e qelbura të Qemal Stafës nuk dalin. Gjithashtu, një grup tjetër ultrasish të ekipit të Tiranës “Tirona papuniks” i ka parashtruar zotit Shkallarja të njëjtën kërkesë, pasi, sipas tifozëve, tani që qyteti i Tiranës ka shkuar 1 milion banorë, është fakt që të ardhurit të bëhen tifozë të vendbanimit të tyre të ri.

Balliu, nder i Tiranës

Zemun, Beograd, Albania - Intelektuali poliglot Fahri Balliu merr çmimin qytetar Nderi i Tiranës. Motivacioni është përmirësimi i marrëdhënieve ndërkombëtarë të Shqipërisë e sidomos ato delikatet me Serbinë dhe Greqinë. Imprenditori i njohur në rrethe anonime nëpërmjet bizneseve të tij ka vendosur ura bashkëpunimi me dy shtetet e sipërpërmendura. Pas marrjes së çmimit, Balliu i organit 33, ka premtuar se do ta shtrijë më tej bashkëpunimin e tij me të huaj me tentativën vetëmohuese duke sjellë ekskluzivisht kompaninë italiane Camorra LTD.

F. for “Change”

Një lagje luksoze, Tirana, Albania - Personazhi i njohur i skenës, filmit dhe dokumentarit B. F. ka premtuar se, nëse Hysni Milloshi fiton zgjedhjet, do shkulë flokët te sheshi “Skënderbej” në shenjë proteste. Letra të shumta suporti mbërritën menjëherë në celularin e tij prodhim 2012 nga shoqata e berberëve artistikë, parukierëve të pasdites dhe të manikyristëve depresivë në mbështetje të iniciativës sublime të Fevziut! Mesazhi që përmbanin këto letra ishte: “Bashkë do t’ia dalim?”

Apollonia - Liverpuli, derby i NATO-s

Liverpul, Albania - Nesër në mbrëmje në stadiumin Ramazan Njala të Kënetës Durrës luhet derby veriatlantik i vlefshëm për vendin 3 ose 20 mes Apollonisë së Fierit dhe Liverpulit të Liverpulit. Presidenti i anglosaksonëve është shprehur gjatë një konference të rrallë: “O ne, o ata. Duhet të kalojmë dhimbjen e humbjes me Çelësin dhe të gjejmë forcat për t’u përballur me lalët!” - e mbylli deklaratën e tij milioneri anglez i firmës 3B. Turma të mëdha huliganësh myzeqarë janë pozicionuar tashmë në hyrjet kryesore të stadiumit duke premtuar një rezistencë të njëllojtë me Mujo Ulqinakun në 7 prillin e famshëm për ndeshjen tjetër historike AC Pescara kundër Shprefese veterane!

Brand New Album from Çiljeta

Bollywood, Albania - Rockstarja e njohur Çiljeta Xhilaga i është drejtuar një klinike të njohur estetike në Los Angelos për një operacion shume delikat! Ajo do t’i nënshtrohet bisturisë së kirurgut estetik tashmë të njohur Silikon Tafili për një fryrje të trupit në përgjithësi! Kjo ndërhyrje bëhet, sepse ylli i këngëve si “Falma, “Pse nuk ma fal” dhe “E di që kam gabuar”, nuk mund të mbante me shtyllën e saj kurrizore drejt si pasojë e ndërhyrjeve të bëra më parë! Çili gjithashtu së shpejti do të hedhë në treg albumin e saj të fundit me titull: Oh sa kam thembrën e mirë!

Singëlli kryesor i këtij albumi do të jetë “Të dua, por je këmbësor!!”

CIA trajnohet në Komisariatin 6

Pentagon, Albania - CIA: S'jemi gjë para shqiptarëve. Ky togfjalësh ka bërë që Senati amerikan të vendosë që mos të hetojë metodat çnjerëzore të përdorura nga CIA gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve si terroriste! Shefi i CIA-s amerikane, të cilit për efekt top sekreti nuk ia themi emrin, ose thjesht se na përtoi t’ia gjenim, deklaroi para Senatit se, nëse ju duken çnjerëzore pak ujë mbi fytyrë dhe ndonjë zhveshje tek-tuk, shkoni njëherë te komisariati 6 në Kombinat të Tiranës në Shqipëri! Atje, sipas këtij të fundit, ndodhet një biçikletë e vizatuar në mur dhe nëse dikush nuk e nget, rrihet deri në rënie të fikëti, ndërsa, kur dikush akuzon se ajo është thjesht një vizatim, atëherë rrihet për vdekje! Këta persona nuk janë të dyshuar për terrorizëm, por për krime makabër, si prishje e qetësisë publike, përdorim celulari, kur kalon kryqëzimin ose kthim nga emigracioni! Pas këtij sqarimi Senati i kërkoi falje CIA-s dhe i kërkoi që çdo terroristi t’i vijë turp që ankohet.

Aksident i rëndë, askush nuk mban përgjegjësi

Vora, Albania - Ishte një aksident i frikshëm ai i muajit të shkuar, kur pas një përplasjeje të fortë me makinë, qytetari i mirënjohur i kryeqytetit Biu i Shaqes, 24-vjeçar, u dërgua në gjendje kritike në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Por pas një vëmendjeje të jashtëzakonshme të stafit mjekësor, pacienti iu largua rrezikut për jetën, edhe pse pasojat rezultojnë të rënda. “Bëmë të pamundurën, - tha për mediet mjeku Zeqir Zeqiri, - dhe Biu tani është shumë më mirë. Por ky djalë i talentuar është paralizuar nga mesi e lart: Ai nuk mund të flasë, të hajë vetë, të mendojë apo të kontrollojë lëvizjen e duarve. Megjithatë, jam i sigurt se ai do të dalë nga spitali me këmbët e veta”. Siç rezultoi më vonë, në fakt pasojat nuk qenkëshin dhe aq të rënda, kurse kjo gjendje e re nuk ndryshon asgjë në regjimin ditor të Biut. Sipas gazetarit sportiv Sofo Sofuli, edhe më parë Biu as mendonte, as fliste ndonjë fjalë të kuptueshme dhe as i kontrollonte gjymtyrët e tij të sipërme. “Mjaft të kujtojmë këtu sherret e tij nëpër lokale nate e pabe, ku u hynte në grushte njerëzve kot së koti”. Por e rëndësishme, thotë Sofuli, është që Biu i Shaqes do të vijojë pa asnjë pasojë karrierën e tij si futbollist. “Ai këmbët i ka në rregull dhe të tjerat nuk kanë ç’i duhen. Ky sportist është një vlerë që nuk duhet t’i mungojë kampionatit tonë”, - theksoi Sofuli.

Lufta kundër drogës, gjendet ilaçi

Parlamenti shqiptar miratoi javën e fundit një ligj për legalizimin e përdorimit të drogave mes personave me të ardhura të mira, në mënyrë që “të përqendrohemi në luftën kundër drogës tek armiku i vërtetë”, - siç thekson një komunikatë shtypi e Kuvendit. “Biznesmenë, avokatë, deputetë, artistë, futbollistë… është gjynah të merresh me këta anëtarë të respektuar të shoqërisë, që paguajnë taksat dhe ndërtojnë Shqipërinë”, - thoshte komunikata. Sipas saj, nuk është mëkat që pas një dite të lodhshme pune, një person i tillë të dojë të bëhet pak dru për të shkriftuar trurin. Por, nga ana tjetër, nëse një përdorues i papunë që vjen vërdallë rrugëve e s’prek punë me dorë, kapet me drogë, atëherë “ai ia ka bërë vetes”.

Projekti i propozuar nga Drejtoria e Luftës Kundër Drogës, synon të fokusojë mjetet dhe forcat e ligjit tek “shkelësit e vërtetë” dhe të mos merret më me anëtarët prodhimtarë të shoqërisë. Sipas specialistit në ministrinë e Brendshme, Xhimi Pluhuri, “nuk ka kuptim t’i vihemi pas një, fjala vjen, kirurgu, që e thith herë pas here atë të shkretë për t’u lehtësuar nga stresi i ditës dhe për të mos iu dridhur dora. Por, kur një lamash, një pabuks prish paratë e asistencës për të blerë dozën, atëherë kjo nuk tolerohet dhe pikë”. Si rezultat i ligjit të ri, pritet një rënie e përdorimit të drogave më të rënda që lidhen me papunësinë, si heroina apo kraku, ndërkohë që “njerëzit e hairit me rroga të mira mund të vijojnë në paqe përdorimin e përgjegjshëm të lëndëve më të buta si kokaina, ekstazi-a apo marijuana me aromë mente, si kjo që po tymos unë tani”, - theksoi specialisti Pluhuri.

Kryeredaktor: Sokol “Kol” Shameti

Drejtor Marketingu: Flavio “bastexhi” Qarri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›