Përse u shkërmoqën në debat çifti Basha-Bumçi
Ka pasur një pështjellim të madh te njerëzit e PD, kur panë të enjten në debatin e organizuar në “Opinion” se si u shkërmoqën para syve të publikut dy zhurmues të spikatur të Berishës në debatet e fundit publike, Lulzim Basha dhe Aldo Bumçi. Madje, për habinë e të gjithëve, Bumçi, edhe pse ka kohë që ka hequr dorë nga kujdesi për personalitetin e vet, bëri më shumë kujdes të mos banalizohej në atë shkallë dhe në atë mënyrë si u keqkatandis në fund të emisionit Lulzim Basha. Ka shumë arsyetime, përse ndodhi kjo. Ka dashamirës deri në fund të Bashës dhe Bumçit, që e shpjegojnë shkërmoqjen e tyre para publikut me faktin se ata janë të kufizuar t’i përmbahen tezave politike të Berishës. Ka të tjerë që duan të thonë që ata s’e kanë lirinë e Blushit për të pranuar 20 lejet e Delijorgjit dhe për të theksuar se leja e 21 e tij ishte koncesioni që Berisha i dha bashkë me Fahri Balliun për të ndërtuar fabrikën e vdekjes në Gërdec. Pra, gjithsesi, argumentet e dashamirësve të tyre kufizohen te fakti se ata janë të dënuar të flasin në një gjuhë me Berishën dhe për të “kënduar” si ajo “Ceca” e PD gjithë broçkullat që u thotë ai në telefon.
Por, në të vërtetë, nuk është stili elektoral i Berishës ai që po asgjëson beniaminët e tij publikisht. Dhe ai mund të ketë peshën e vet, por kryesore pse ata po bien një nga një para syve të opinionit publik është se ata nuk kanë personalitetin e tyre dhe nuk kanë çfarë t’u ofrojnë qytetarëve. Me mbështetjen e Sali Berishës dhe recetat e tij propagandistike mund të bëhesh kryetar i PD, ministër, mund të fitosh tenderë e licenca, mund të punosh me Shkëlzenin dhe Argitën, por nuk mund të bësh betejë me kundërshtarët, nëse nuk ke substancën tënde. Të gjithë e pamë se si Lulzim Basha u deformua në fytyrë, u nxi, u shformua dhe gati nisi të qajë, kur kundërshtari i tij i përmendi Gërdecin, kur i përmendte që iu fsheh drejtësisë me raport mjekësor, kur i përmendte se si Shqipëria po kthehet në plaçkë lufte për familjen e kryeministrit. Kaseta që ai rivinte në punë si zhurmues ishte e padobishme. Ai u detyrua të tkurret, të ulë zërin, të shndërrohet dhe në fund të qajë mbyturazi për impotencën e tij publike.
Të njëjtën gjë bëri dhe Aldo Bumçi, madje, ky i fundit, kur e pa se debati u përqendrua te Gërdeci dhe përfshirja e familjes Berisha aty, thuajse u mek. Nuk ishte më ai Aldo që thotë 20 broçkulla në 1 minutë, kur fut kasetën para mikrofonave, ku s’e pyet më askush. Arsyeja po ashtu është e thjeshtë. Është ministri historik i këtij shteti, i cili, në vend që t’i raportojë kryeministrit, i raporton me shkresë zyrtare djalit të tij, për një nga skandalet që do të mbesë gjatë në historinë e Shqipërisë si një rekord i tmerrshëm i bilancit vdekjeprurës të korrupsionit.
Të dy zhurmuesit e njohur të Berishës u detyruan, jo vetëm të bëhen banalë në përpjekje për të prishur debatin, por mbi të gjitha u bënë banalë në dorëzimin e tyre pa kushte para dy moshatarëve të tyre cinikë, që thjesht bënin diferencë me ta, pasi në sekuencat e reklamave nuk i merrte askush në telefon, ndërsa atyre të dyve iu bërtiste pronari i TV “Klan” në emër të Berishës.
Ky bilanc i hidhur i atij debati për Berishën na kujton të gjithëve se çfarë fushate elektorale na pret përpara. Dy të preferuarit e Berishës u shkërmoqën para opinionit publik, jo për fajin e tyre, jo për përgjegjësinë e tyre, por për pafuqinë për të mbajtur mbi shpinë problemet dhe skandalet e të tjerëve. Duke qenë të rinj, shumë shqiptarë ndodh që dhe ua falin lajthitjet apo disfatat si kjo e radhës, por duan, doemos duan, të shikojnë një dimension personaliteti te portreti i tyre. Por, në të vërtetë, atyre të dyve u mungon pikërisht personaliteti. Dhe nuk e kanë aq të lehtë ta fitojnë atë, pasi, siç shihej, ata nuk ishin të lirë të mbronin veten e tyre dhe nuk kishin ngërç, kur flitej për ta, por kur flitej për të tjerë. Diferenca e tyre me Blushin dhe Klosin, përveçse kulturore, ngjante se ishte politike. Blushi dhe Klosi thoshin ato që mendonin dhe kundërshtonin ato që nuk funksionojnë si të vërteta. Bumçi dhe Basha ishin të detyruar të recitonin pa menduar dhe të mendonin të tmerruar se ç’do recitonin për gjërat “jashtë teme” që dilnin në debat. Dhe gjërat jashtë teme për ta janë pikërisht skandalet që lidhen me familjen e kryeministrit dhe fuqinë e pushtetit të tyre. Të pafuqishëm për t’i mbrojtur ata dhe të tmerruar nga pafuqia e tyre, ata u shfytyruan duke humbur çdo besueshmëri në ato broçkulla që thoshin. Dhe nuk kanë faj. Plaçkitja e vendit nuk është faj i tyre, historitë kriminale si ajo e Gërdecit nuk janë përgjegjësi e tyre, dhe e gjithë beteja për t’i mbrojtur këto nuk është betejë e tyre. Aty, ata thjesht kuptuan sa e lehtë është të ngjitesh pas emrit të Shkëlzenit dhe Argitës në pushtet, dhe sa e vështirë është të qëndrosh në emër të tyre.