Barrikadat duhet t’i largojë KFOR-i dhe EULEX-i

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, nuk ka dashur të spekulojë mundësinë e dërgimit të forcave speciale të Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave të vendosura nga serbët në veri, duke thënë se një gjë e tillë është në përgjegjësi të KFOR-it dhe EULEX-it.
Serbët në veri të Kosovës, jo që nuk kanë larguar barrikadat pas arritjes së marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, por ata gjatë mbrëmjes së kaluar kanë vendosur edhe një barrikadë në fshatin Zupç, ndërkohë që barrikada në Rudare vazhdon të qëndrojë që nga fundi i muajit korrik.
Ministri Rexhepi ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se serbët prej fillimit nuk kanë respektuar marrëveshjen e arritur për largimin e barrikadave dhe lirinë e qarkullimit në veri.
“Këta prej fillimit nuk kanë respektuar këtë marrëveshje që ka të bëjë më bllokadat. Këto bllokada i bëjnë më shumë ndaj KFOR-it dhe EULEX-it, sepse ata qarkullojnë më shumë në atë pjesë dhe është përgjegjësi e tyre t’i largojnë”, ka thënë ministri Rexhepi.
Barrikada në Zupç është vënë pas një aksioni të policisë së EULEX-it për të arrestuar një serb që dyshohet të ketë marrë pjesë në djegien e pikës kufitare në Jarinjë, pas aksionit të Policisë së Kosovës për të marrë nën kontroll pikat 1 dhe 31 në veri.
Ministri Rexhepi i pyetur nëse kanë pasur biseda me KFOR-in dhe nëse është kërkuar largimi i këtyre barrikadave, ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in, por sipas tij ata janë mjaft të kujdesshëm në heqjen e tyre, duke e ruajtur qetësinë eventuale.
Për mundësinë e ndonjë aksioni të njësisë speciale në veri, ministri Rexhepi nuk ka dashur të spekulojë për këtë, duke thënë se policia do të veprojë atëherë kur është e domosdoshme.
“Marrëveshja është deri më 15 shtator edhe për pikat kufitare 1 dhe 31 dhe pastaj ne do t’i marrim veprimet e ardhshme varësisht prej situatave. Unë nuk dua të spekuloj. Njësia Speciale vepron atëherë kur është e domosdoshme”, ka deklaruar ai.
Pas situatës së krijuar nga intervenimi i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri më 25 korrik, është arritur marrëveshja mes KFOR-it dhe Qeverisë së Kosovës, e cila ka për obligim largimin e gjitha barrikadave të vendosura nga serbët. Por, kjo marrëveshje e arritur më 5 gusht vazhdon të mos gjejë zbatim nga serbët.