Mustafa: Jo bisedimeve pa kushte

Nuk duhet të vazhdohen bisedimet me Serbinë pa i vendosur kushtet e veçanta dhe pa e përcaktuar pozicionimin e qartë të Kosovës në këtë dialog, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
LDK e ka përkrahur iniciativën e qeverisë dhe institucioneve tjera që në veri të vendoset ligji, e të ushtrohet sovraniteti në gjithë territorin e vendit.
“Janë dhënë premtime të mëdha dhe deklarata të forta nga ana e qeverisë dhe ne kërkojmë që ato të realizohen”, ka thënë Mustafa për “Radio Evropa e Lirë”, për të shtuar se nuk sheh zgjidhje të shpejtë të çështjes së veriut, së paku jo kështu si jepen sot deklaratat.
“Atë që shoh është përgjegjësia e Qeverisë, e qeveritarëve dhe e institucioneve tjera që ta bëjnë punën e tyre, në mënyrë që në veri të funksionoj ligji”.
Mustafa thotë se LDK nuk do të pranojë që në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë të veçantë të diskutohet veriu i Kosovës, sepse “çështjet teknike po bëhen çështje politike”.
“Kosova ka hyrë totalisht e papërgatitur në këto bisedime. Kosova duhet të shoh se çfarë do të përfitojë në qoftë se bisedon me Serbinë”, ka thënë Mustafa, transmeton Telegrafi.
Zgjidhjen për veriun kreu i LDK=së e sheh përmes zbatimit të Pakos së Ahtisarit, ndonëse thotë se nuk është e drejtë që komunat me shumicë serbe të kenë më shumë të drejta sesa komunat tjera.
“Por, me qenë se ne e kemi pranuar si të tillë, atëherë ky është maksimumi që Kosova mund ta bëj edhe për komunat tjera që janë në veriun e Kosovës”.
Mustafa thotë se duhet të vendosen kushtet e të rishikohet pozicioni i Kosovës për bisedat e ardhshme me Serbinë.
“Njeriu i cili e përfaqëson Serbinë në bisedime ka qenë ai i cili në një formë i ka shtytë strukturat kriminele në veri që të mbajnë barrikada”, ka thënë Mustafa. “Unë nuk e shoh asnjë arsye që dikush të ulet e të bisedoj me atë që territorin tënd e shpallë territor të vendit të vet”.