E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso: Eurozona drejt një krize sistemike

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Barroso tha se 17 shtetet që kanë euron si monedhë të përbashkët po shkojnë drejt një "krize sistemike". “Vendet duhet të angazhohen më shumë se kurrë”, - tha Barroso me një pamje të rëndë.

Kreu i liberalëve në parlament, ish-kryeministri belg, Guy Verhofstadt tha se eurozona ka "arritur në një pikë shumë të rrezikshme dhe kritike, ku çdo gjë duket e mundur, madje edhe skenarë shumë dramatikë". Kryeministri i Luksemburgut, Zhan-Klod Junker, kryetari i Grupit të Eurozonës, u shpreh përsëri në favor të obligacioneve të përbashkëta shtetërore të vendeve të eurozonës, të ashtuquajturit eurobonds. Ky bashkim i borxhit refuzohet sot për sot nga qeveria federale. "Nëse ne duam të reagojmë shpejt, atëherë duhet të heqim dorë nga unanimiteti i votave për çështjet financiare", - kërkoi Juncker.

Arsyeja për këto fjalë të forta në parlament është një rritje e normave të interesit që janë të detyruar të paguajë anëtarët e eurozonës, të cilat deri tani konsideroheshin si të qëndrueshme. Të martën u rritën ndjeshëm interesat për Francën, Belgjikën, Austrinë, Finlandën dhe Holandën. Kjo nënkupton një humbje masive të besimit të investitorëve dhe një valë spekulimesh kundër eurozonës në tërësi. Kësaj i shtohen supozimet se, përveçse në Gjermani, ekonomia në eurozonë nuk do të rritet. Të martën u rritën (15/11/2011) edhe çmimet për sigurimet kundër pamundësisë për të paguar në eurozonë. Ato janë një tregues për zhvillimin e ardhshëm të normave të interesit për obligacionet qeveritare. Në të njëjtën kohë edhe investitorët kanë frikë të investojnë. "Investitorët nuk kanë besim se zona e euros mund t'i zgjidhë problemet e saj. Pse ata kërkojnë vendin më të sigurt ku mund t'i vendosin paratë e tyre. Kjo është Gjermania, dhe çdo gjë tjetër vuan", - thotë analisti Elwin de Groot i Rabobank në Holandë, për agjencinë e lajmeve Reuters. Ndërsa Gjermania duhet të paguajë vetëm 1,77 për qind interes për obligacione shtetërore dhjetëvjeçare, Francës i duhet tashmë të paguajë dy herë më shumë. Hendeku vazhdon të zgjerohet. Normat e interesit për obligacionet e qeverisë italiane, me gjithë qeverinë e re, lëvizin në nivelin kritik prej shtatë për qind. Spanja duhet të paguajë për obligacionet shtetërore më shumë se gjashtë për qind dhe më tepër. Banka Qendrore Evropiane ka filluar të blejë sërish obligacione shtetërore nga Italia dhe Spanja. Austria ka vendosur një fren për borxhet, në mënyrë qe deri në vitin 2020 borxhi i përgjithshëm i Austrisë të bjerë në 60% të prodhimit të brendshëm bruto. Hungaria dhe Sllovakia kanë vështirësi në shitjen e obligacioneve shtetërore. Edhe Belgjika duhet të paguajë përqindje të larta interesi për borxhet e shtetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›