Kuvendi miraton me konsensus ligjin për sigurinë e bankave
Opozita dha konsensusin për ligjin e sigurisë së bankave, pasi sipas saj me këtë ligj preket drejtpërdrejt psikologjia e konsumatorit. Ashtu si maxhoranca, edhe opozita theksoi se depozitat e shqiptarëve janë të sigurta, por sistemi bankar kërkon një reformë të plotë dhe mbikëqyrje me mbështetje ligjore
Opozita kujdeset për psikologjinë e shqiptarëve duke votuar ligjin për sigurinë e bankave në sajë të konsensusit politik. “Ndryshe nga ju që në 2002-in ngjallët panik në popull duke mos votuar ligjin për depozitat, ne themi që depozitat e shqiptarëve janë të sigurta dhe ky ligj është i vonuar. Deri më sot nuk ka krizë depozitash”, - u shpreh deputeti socialist Arben Malaj gjatë seancës së djeshme plenare kur diskutohej për projektligjin e sigurisë së bankave. Ligji u miratua me 128 vota pro, të mazhorancës dhe opozitës, një abstenim të deputetit socialist Erion Braçe dhe asnjë votë kundër. Pavarësisht se ligji në fjalë pati edhe konsensusin e opozitës, ai nuk kaloi pa debate.”Të gjithë e dimë, risku vjen nga jashtë dhe nuk ka përse neve të na dëmtohet pjesa e tregut bankar vetëm se mund të kenë origjinën e kapitalit, nga një vend që ka probleme në një moment të caktuar", - u shpreh ministri i Financave, Ridvan Bode. Ndërsa ish-kryeministri socialist Pandeli Majko vërejti se Parlamenti ka nevojë më shumë për informacion lidhur me të drejtat që i jepen bordit të Bankës së Shqipërisë, për të marrë pronësinë e Bankës, për të vendosur një administrator. “Pra, pak a shumë besoj që zoti Bode e kujton periudhën e piramidave, kur këtë rol që doni t'ia vini Bankës së Shqipërisë, ndaj bankave private drejt falimentimit, deri dje e kishte 'Deloitte & Touche' me firmat piramidale", - tha Majko. Në përgjigje të këtij të fundit, ministri Bode u shpreh: "Nuk është e mjaftueshme të përmendni kohën e piramidave zoti ish-kryeministër, për të thënë që sistemi ynë bankar ka probleme. Jo! Lexoni raportin e fundit të Bankës Botërore tri ditë të shkuara, që thotë se sistemi bankar në Shqipëri është më i qëndrueshmi në rajon. Ky sistem ka më pak probleme nga të gjitha bankat e vendeve të tjera të rajonit". Kurse deputeti socialist, Arben Ahmetaj vërejti se zhvillimet kanë sjellë domosdoshmëri për ndryshime në ligjin për bankat. “Duhen paratë elektronike? Po, duhen. Por, a është momenti që ato të përdoren edhe nga institucione të tjera jobankare? Nuk e dimë. Ligji është i paplotë në këndvështrimin tim. Nuk reflekton krizën. Ne do ta votojmë këtë ligj, por ky nuk përmban shqetësimet e krizës. Nuk flet për cilësinë e kapitalit. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar se kolaterali në Shqipëri është i pasigurt. Ligji që ne do votojmë nuk merret dot me parashikueshmërinë e riskut. Banka Ur është e mirë, por në ligj nuk është e detajuar procedura i kalimit nga një bankë me probleme në një bankë të sigurt për qytetarin. Kush është përgjegjës për kreditë e këqija 18,3%? Zoti Ministër, në qoftë se ke frikë e droje të ndonjë ‘de ja vu’-je personale, ne duam shëndetin e sistemit bankar”, - tha deputeti socialist Ahmetaj. Ndërsa deputeti demokrat, Florion Mima e cilësoi ligjin për sigurinë e bankave një nga asetet më me vlerë të sistemit bankar dhe aset tjetër me vlerë është gjithashtu besimi i publikut në të. “18,3 % i kredive të këqija nuk ka lidhje me këtë ligj. Por megjithatë, ato janë të provigjonuara, nuk paguhen taksa për to. Ligji vendos një perde zjarri mes bankave të infektuara dhe atyre të mira. Janë 10 operatorë që mund të bëjnë transaksione me para elektronike. Ligji e heq monopolin në këtë drejtim. Banka Ur ndërtohet konform direktivave të BE-së”, - tha deputeti Mima. Ndërsa ministri Bode theksoi sërish se “sistemi që kemi ne është i besueshëm dhe qytetarët besojnë, edhe pse ju bëni thirrje ditë e natë për dobësim të sistemit dhe për largim të depozitave. Në momentet kur një bankë e caktuar dëshmon dobësi në kryerjen e aktivitetit të saj, normal ndërhyhet nga Banka e Shqipërisë, sigurohen financime ure, ndërtohet një sistem i bankës urë, siç ndodhi në SHBA, siç po ndodh në vendet e Bashkimit Evropian". Deputeti socialist Arben Malaj, nga ana e tij propozoi që sistemi bankar të rrisë cilësinë e kredive, të kreditohen bizneset e suksesshme, mbikëqyrje me mbështetje ligjore dhe reforma të plota. Ligji i miratuar me 128 vota pro dhe një abstenim parashikon për herë të parë ndërtimin e bankës urë, që bën të mundur ndarjen e bankave me probleme duke transferuar asetet dhe kapitalet e mira në një bankë të përkohshme, ndërsa ato me probleme çohen në likuidim.