E Shtunë, 31 Tetor 2026

DPPPP: Noterët s’raportojnë rastet për aktivitet të dyshimtë

18/11/2011  Dhoma e Noterëve mangësi për detyrimin e njohjes së noterëve me tipologji të pastrimit të parave

Noterët kanë mangësi në raportimin e rasteve për aktivitet të dyshimtë. Ky është një nga përfundimet e nxjerra pas një analize të bërë nga Drejtoria e përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP). Gjatë një takimi mes përfaqësuesve të këtij institucioni dhe përfaqësuesve të Dhomës Kombëtare të Noterisë theksi u vu në mungesën e realizimit të detyrimeve që kjo Dhomë ka për të njohur noterët me tipologjinë e rasteve të dyshimta, në mënyrë që ata të aftësohen për të raportuar në mënyrë të saktë dhe efikase.

Raportimi

Në fakt raportimi nga ana e noterëve për rastet për aktivitet të dyshimtë është një detyrim ligjor i sanksionuar në neni 12 të Ligjit 9917 datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar. “U parashtrua në mënyrë të arsyetuar se Dhoma Kombëtare e Noterëve nuk ka përmbushur në nivelin e kërkuar detyrimet e marra përsipër sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit me DPPPP datë 14.5.2010, për sensibilizim dhe për t’i njohur noterët me tipologji kombëtare e ndërkombëtare të pastrimit të parave, përderisa me gjithë, trajnimet, publikimet, inspektimet, korrespondencën e dërgimin e tipologjive nga ana jonë, për këtë vit rezulton i papërmbushur detyrimi ligjor i sanksionuar në neni 12 të Ligjit 9917 datë 19.05.2008”, - theksojnë burimet zyrtare të DPPPP-së. Takimi kishte në fokus të tij shqyrtimin e problematikave që lidhen me zbatimin e masave parandaluese nga subjektet noter.

Shqetësimet

Ky takim u realizua në vlerësim të shqetësimeve të parashtruara në vijimësi nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Pjesëmarrës në takim ishin Fatmir Laçej, kryetar i Dhomës së Noterisë Tiranë, ndërsa DPPPP u përfaqësua nga Agim Ismaili, përgjegjës i sektorit të analizës së informacionit në DPPPP dhe Aleks Marku përgjegjës i sektorit të Legjislacionit në DPPPP. Fatmir Laçej u shpreh mirëkuptim për problemet e ngritura dhe u parashtrua fakti se do të intensifikohet puna sensibilizuese, ndaj noterëve për një vëmendje në funksion të dedektimit të rasteve të dyshimtë. Ai theksoi se në DPPPP do të parashtrohen të dhëna për punën e kryer deri tani. Gjatë këtij takimi u ra dakord që takime të tilla të mbahen periodikisht për të koordinuar punën trajnuese, sensibilizuese, kontrolluese në funksion të dedektimit dhe raportimit në rritje të rasteve të dyshimta. Kërkesat në rritje të DPPPP-së ndaj këtyre subjekteve për dërgim të rasteve të dyshuara, si dhe për cilësinë e raportimit, gjatë dy viteve të fundit kanë sjellë rritje të raportimeve të transaksioneve të vlerave nga kjo kategori subjekti. Për vitin 2010 janë raportuar nga noterët 6 raste të dyshuara, ndërkohë që mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim. Në vitin 2010, numri i noterëve që kanë raportuar ka arritur në 241 ose 18% më shumë krahasuar me vitin 2009. Numri i raportimeve për vitin 2010 ka arritur në 17,589 RTV (Raporti i Transaksionit të Vlerave), që përbën një rritje prej 56% krahasuar me vitin paraardhës. DPPPP kryen inspektime të vazhdueshme te noterët, bankat, shoqëritë e ndërtimit dhe zyrat e këmbimit valutorë, për vetë faktin se ato janë kategorizuar si më të ekspozuara ndaj fenomenit të pastrimit të parave dhe informacioni që mund të merret nga këto subjekte, është shumë me vlerë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›