E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i BE: Rregulla të reja për agjencitë e vlerësimit

Brukseli dëshiron t'i vërë një lloj kufiri pushtetit dhe forcës së agjencive të vlerësimit dhe parashikimit. Sipas informacioneve të Komisionit të BE-së, ky do të vendosë masa që parashikojnë ndalimin e agjencive që të botojnë gjykime dhe vlerësime për vendet e eurozonës që janë në krizë; do t'u kërkojë llogari dhe do t'i bëjë këto agjenci përgjegjëse për notat dhe vlerësimet e gabuara që mund të japin, si dhe do të kontrollojë e krahasojë kriteret e vlerësimit të agjencive të ndryshme nga ana e BE-së. Edhe në radhët e ekonomisë është gjithashtu gjithnjë e më tepër në rritje skepticizmi mbi agjencitë e vlerësimit. Ndryshe nga shtetet, kompanitë private kërkojnë që t'u bëhet vlerësimi dhe renditja duke paguar madje për këtë. Këtë gjë ato e bëjnë se, sa më të mirë ta kenë klasifikimin nga këto agjenci, aq më të mira, pra më të ulëta janë normat e interesit për kreditë që marrin. Por gjithnjë e më shumë kompani mundohen të shpëtojnë prej pagesës së lartë që u kërkohet për një shërbim të tillë. Kështu p.sh., prodhuesi i artikujve sportivë “Adidas” apo kompania që prodhon software SAP, mund të marrin hua para në tregun e kapitalit edhe pa vlerësimet e agjencive të vlerësimit. Pas bisedimeve të vështira, Parlamenti Europian vendosi dhe ligje të reja, me të cilat nga nëntori i 2012-ës do të mund të ndalohet tregtia dhe shitja e sigurimeve të pambuluara të kredive (CSD). Këto produkte pjesërisht të komplikuara, me të cilat spekuluesit vënë baste kur kurset janë në rënie, shihen si përshpejtues të krizës botërore financiare dhe të borxheve. Kompromisi i arritur mes Parlamentit dhe vendeve anëtare të BE-së, krijon më shumë transparencë dhe forcon kompetencat e kontrollorëve kombëtarë dhe atyre që mbikëqyrin bursën europiane.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›