E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso: Greqia është dhe do të mbetet në Eurozonë

ATHINË- Greqia "do të mbetet në Eurozonë", megjithë krizën e borxhit, deklaroi sot gjatë fjalimit të tij në parlamentin Europian, presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, duke synuar t'iu vendosë barrierë spekulimeve sipas të cilave dalja e Greqisë nga zona e euros është e pashmangshme. Vendet europiane do të vazhdojnë të tregojnë solidaritetin e tyre ndaj Greqisë, insistoi Barroso.

"Greqia do të duhet të përmbushë plotësisht dhe në kohë angazhimet e saj", lidhur me reduktimin e deficitit, tha ai. Në shkëmbim, europianët janë të vendosur të vazhdojnë mbështetjen ndaj vendeve që janë të ekspozuara ndaj krizës derisa të krijojnë përsëri akses në tregjet.

Ndihma ndaj Greqisë nuk është garë shpejtësie, por një maratonë", shtoi ai.
"Po përballemi me një krizë financiare, ekonomike dhe sociale. Është fjala për një krizë besimi pa precedent këtu e dekada. Krizë besimi sa ndaj qeverive, liderëve dhe vetë Europës, aq edhe ndaj aftësisë tonë për të gjetur zgjidhje", tha Barroso.

"Europa nuk iu përgjigj sfidave të konkurrencës. Disa prej shteteve anëtare jetuan mbi mundësitë e tyre. Në tregje u shfaqën sjellje të papranueshme dhe lejuam krijimin e pabarazive ndërmjet shteteve tona", theksoi, duke shtuar se "tërmetet që po trondisin rendin botëror, presionet që ushtron globalizmi, e kanë përkeqësuar më tej situatën".
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›