Barroso përshëndet zgjedhjen e Nishanit si President
Presidenti i Komisionit Europian, Emanuel Barroso ka uruar zotin. Bujar Nishani për zgjedhjen e tij në detyrën e Kreut të ri të Shtetit shqiptar. Përmes një mesazhi urimi Barroso përshëndet zgjedhjen e Bujar Nishanit si President i Shqipërisë.
Në raundin e katërt presidencial të së hënës maxhoranca zgjodhi Bujar Nishanin si President të ri të Republikës së Shqipërisë. Nishani ka siguruar 73 vota pro të deputetëve të shumicës parlamentare, 1 kundër dhe 2 vota u shpallën të pavlefshme, për shkak se u hodhën në kuti pa shenja.
Në seancën e së hënës pasdite morën pjesë në votim 76 deputetë, ndërsa deputetët e Partisë Socialiste qëndruan në sallën e Parlamentit, por nuk morën pjesë në votim. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ishte një ndër deputetët që e shpalli publikisht si të pavlefshme votën e tij.
Sapo e mori fletën me tri firmat e anëtarëve të sekretariatit të votimit, e ka hedhur menjëherë të “bardhë” në kuti. Në Parlament ra në sy mungesa e deputetit të pavarur, Dritan Priftit.