Haxhinasto-Spindelegger: Në 2020 Shqipëria në BE

Bashkëpunimi dypalësh Shqipëri-Austri, integrimi në BE dhe situata në rajon kanë qenë në qendër të diskutimeve mes zv.Kryeministrit dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto me Zv.Kancelarin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger.
“Ne konfirmuam edhe një herë në takimin tonë marrëdhëniet e shkëlqyeshme që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Austrisë. Ne konfirmuam se duhet të punojmë së bashku për të sjellë Austrinë edhe më lart në listën e partnerëve tanë më të mëdhej ekonomikë që Shqipëria ka. Austria është një nga ato 3-4 vendet kryesore në shkëmbimet tona ekonomike dypalëshe. Ne duam të përkujtojmë edhe rolin e jashtëzakonshëm të Austrisë për pavarësinë e Shqipërisë”u shpreh Haxhinasto.
“Qëndrimi i Austrisë dihet, ne mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ju keni dijeni për planin Austriak. Ne mendojmë se viti 2020 është viti kur të gjithë vendet e ndryshme të Ballkanit Perendimor duhet të anëtarësohen në BE, dhe hapi i afërt është marrja e statusit kandidat nga Shqipëria, çka ne e mbështesim plotësisht. Unë urova për zgjedhjen e presidentit të ri, është një personalitet i mirënjohur, me karrierë politike dhe me mbështetje të madhe në Shqipëri. Do të bëjmë të gjitha rregullimet e rastit me qëllim që veprimtaria e madhe e 28 nëntorit të zhvillohet në Tiranë dhe unë do të përpiqem të marr pjesë” tha Spindelegger.
Ky takim u bë në kuadër të vizitës në Vjenë të Hazhinastos i cili ka qenë pjesmarrës edhe në Koncertin e harqeve në Teatrin e Vienës me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.