Karkaleci i Maqedonisë vjen në Prespë

Foto ilustruese
Korçë- Që prej 2-3 ditësh një valë karkalecash e ardhur nga Maqedonia po sulmon të mbjellat e zonës së Prespës ose më konkretisht vala e karkalecave tashmë ka prekur zonën e Goricës së Madhe, gjë që ka alarmuar gjithë banorët e Komunës së Liqenasit, të cilët pretendojnë se karkaleci përveç të mbjellave ka filluar të dëmtojë edhe pyjet, veçanërisht familjen e shkureve, ku këto të fundit po i zhvesh nga gjethet. Prekja nga karkaleci i zonës së Prespës u pranua edhe zyrtarisht.
Për momentin vala e karkalecave është duke përparuar dhe nëse do të arrinte të përshkonte gjithë komunën e Liqenasit dhe pas kësaj do të mbërrinte në fushën e Korçës, atëherë dëmi i fermerëve do të ishte i pallogaritshëm. Megjithatë gazeta Shekulli në lidhje me këtë shqetësim të fermerëve, kontaktoi me Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Adrian Maho, i cili dha këtë përgjigje: Është e vërtetë se nja valë karkalecash tashmë ka mbërritur në zonën e Goricës së Madhe, i cili është një karkalec që dëmton kryesisht bimët prashitëse, siç janë patatja, fasulja, misri e të tjera, por që fatmirësisht në këtë zonë këto bimë janë të kultivuara në sipërfaqe të vogla, sepse sipërfaqja më e madhe e tokës bujqësore është e mbjellë nga të lashtat, pra kryesisht nga drithërat (gruri).
Megjithatë, pavarësisht nga ky fakt, Maho tha se janë marrë të gjitha masat; në këtë zonë janë dërguar të gjitha preparatet kimike, (insekticidet), me anë të të cilave do të ndalet përparimi i mëtejshëm i valës së karkalecave, dhe që ndërkohë do të japë efektet e duhura edhe në zonat që tashmë janë të prekura.
Gjithsesi, për momentin nga ana e fermerëve të zonës ndihet një alarmim i dukshëm, ndërsa nga DRBUMK pretendohet se gjithçka do të zgjidhet në kohën e duhur. Se sa efektive do të jenë masat e marra, këtë gjë do ta tregojnë ditët në vijim, sepse përvoja e viteve të kaluara ka treguar se karkaleci është një insekt që nuk mund të eliminohet me aq lehtësi sa mund të mendohet. Përgjithësisht ai është ndalur vetëm kur ka rezauruar gjithë ciklin biologjik të vet. /Vepror Hasani/