Barroso pret Luksiç në Bruksel: Mali i zi drejt Europës,

Pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, i cili lavdëroi reformat e ndërmarra nga Mali i Zi në kuadër të një anëtarësimi të ardhshëm, kryeministri i vendit, Igor Luksiç, u prit në Bruksel edhe nga Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso i cili ka thënë:
“Kjo është hera e tretë që ne takohemi që kur Kryeministri mori këtë post dhe unë vërej me kënaqësi se entuziazmi i tij evropian nuk ka ndryshuar. Është e qartë se Mali i Zi ka punuar shumë fort mbi axhendën evropiane, veçanërisht që prej dhjetorit të vitit 2010 kur vendit iu dha statusi kandidat për në Bashkimin Evropian dhe kur Kryeministri Luksiç mori detyrën. Vendimi i fundit i Këshillit Europian, i cili i mban hapur dyert drejt nisjes në të ardhmen të negociatave për anëtarësim, është një njohje e drejtë e përpjekjeve të Malit të Zi.”
Por para çeljes së mundshme të negociatave në verë, Komisioni Europian duhet fillimisht të vlerësojë, në një raport të veçantë në javët që vijnë, se si ka ecur zbatimi i reformave në fushën e shtetit të së drejtës dhe lirive themelore, si edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fusha për të cilat Barroso inkurajoi kryeministrin Luksiç të vijojë punën.
Igor Luksiç është shprehur:
“Ne kemi ripërforcuar debatet për ndryshimet kushtetuese. Po garantojmë zbatimin e duhur të legjislacionit anti-korrupsion që miratuam vitin që kaloi si dhe po monitorojmë ndërtimin e gjurmëve të provave në reformën në gjyqësor dhe unë mendoj se kemi rezultate të bindshme në të gjitha nivelet.”
Barroso dhe Luksiç dënuan njëzëri edhe sulmin fizik kundër një gazetari në Malin e Zi, ndërsa theksuan rëndësinë e respektimit të lirisë së medias. Vendimi për nisjen e negociatave për anëtarësim pritet të mirret gjatë samitit të qershorit, gjatë presidencës daneze, në rast të një raporti pozitiv paraprak nga Komisioni Europian këtë pranverë.