E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu teknik rinis në qershor, për veriun nga shtatori

Delegacioni kosovar dhe ai serb pritet që të takohen sërish nga fundi i majit, eventualisht fillimi i muajit qershor. Burime ndërkombëtare kanë theksuar për gazetën “Koha Ditore” se diplomatët evropianë presin që Serbia të mos shpenzojë shumë kohë në ndërtimin e qeverisë së re atje pas zgjedhjeve parlamentare më 6 maj dhe palët të takohen pak javë pas zgjedhjeve për të bërë marrëveshje edhe në dy çështje: telekomunikacion dhe energjetinë.
 

Të dy temat, që sipas diplomatëve ndërkombëtarë prekin përmirësimin e jetës në veri të Kosovës, për shkak të energjisë elektrike, postës dhe operatorëve telefonikë atje, do të përgatisin terrenin që pas pushimeve të verës, të dy kryeqytet të fillojnë adresimin e çështjes së veriut të Kosovës nga shtatori.
 

Diplomatë evropianë i kanë thënë gazetës se po analizohen modelet se si do të trajtohet veriu, dhe një gjë e tillë nuk duhet të nisë domosdoshmërisht me anë të dialogut politik.

“Ka disa çështje në veri, siç është çështja e funksionimit teknik të gjykatës, pastaj funksionimi i shkollave, shtëpive të shëndetit, transportit publik që mund të trajtohen si çështje të ndërmjetshme, deri në adresimin politik të veriut”, i ka thënë gazetës një diplomat evropian i akredituar në Prishtinë.
 

Sipas të njëjtave burime, deri atëherë Prishtina dhe Beogradi do të rikomponojnë përfaqësimin që do të kenë në atë që quhet dialog politik.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›