E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso propozon një plan urgjent në ndihmë të Greqisë

BRUKSEL- Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso propozoi sot një plan urgjent për t'i ardhur në ndihmë Greqisë që ndodhet në krizë ekonomike për rimëkëmbjen e ekonomisë së saj dhe për të luftuar kundër papunësisë duke mundësuar zhbllokimin e një miliardë eurove nga fondet e buxhetit të Bashkimit Evropian.

Kjo mbështetje do të plotësohet nga dhjetra miliardë euro nga kreditë ndërkombëtare që janë dhënë tashmë për Athinën nga vendet evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për t'i mundësuar vendit t'i bëjë ballë detyrimeve financiare buxhetore dhe rimbursimit të borxhit publik.

Gjatë një konference për shtyp Barroso foli për një plan urgjent.

"Dëshiroj t'i kërkoj Këshillit Evropian, forumit të drejtuesve të vendeve të BE-së të diskutojnë në lidhje me atë që mund të bëjmë për t'i ardhur në ndihmë Greqisë përtej përpjekjeve për konsolidimin buxhetor, për rritjen e kompetivitetit dhe për të luftuar problemin e papunësisë. Ne duhet të gjejmë një mjet për avancimin e pagesës dhe përshpejtimin e fondeve përkatëse në mënyrë që Greqia të përfitojë ",- nënvizoi Barroso.
(ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›