E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barrot: Vitin e ardhshëm hiqen vizat për shqiptarët

Në forumin ministror mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë, ku Shqipëria përfaqësohej nga Ministri i Brendshëm  Lulzim Basha,  Zv. Presidendi i Komisionit Evropian dhe Komisioner për Çështjet e Drejtësisë dhe Sigurisë, Jacques Barrot vlerësoi se Shqipëria ka përmbushur kriteret më të rëndësishme për heqjen e vizave dhe ky proces do të finalizohet në vitin 2010.

“Dialogu vazhdon dhe unë shpresoj që vitin e ardhshëm ne do të shkojmë drejt heqjes së vizave për shqiptarët. Unë isha në Shqipëri kur dhashë pasaportën e parë biometrike dhe tani shoh që Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për heqjen e vizave. Rruga që është bërë tregon se heqja e vizave do të arrihet në vitin 2010”, u shpreh Barrot.

Ministri Basha gjatë këtij forumi ministror falënderoi përfaqësuesit më të lartë të Komisionit Europian për mbështetjen e dhënë dhe siguroi se Shqipëria është në hapat e fundit të përmbushjes së të gjitha kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave.

Basha informoi se Shqipëria po kryen me ritmin më të shpejtë në rajon pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike. Këtë e dëshmon fakti se brenda një kohe të shkurtër mbi 250 mijë qytetarë shqiptarë janë pajisur me pasaporta biometrike.

Basha informoi edhe për progresin e arritur në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit nëpërmjet instalimit të sistemeve analoge me vendet Schengen në pikat e kalimit kufitar për menaxhimin total të informacionit dhe për analizën e informacionit kriminal.

Ministri Basha informoi gjatë forumit edhe mbi rezultatet pozitive të arritura në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Gjatë dy ditëve të këtij forumi ministerial, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u takua dhe bisedoi me Zv. Presidentin e Komisionit Europian  Jacques Barrot, dhe përfaqësues të tjerë të Komisionit Europian. Zv. Presidenti Barrot dhe përfaqësuesit e Komisionit Europian vlerësuan progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe në veçanti progresin e arritur që prej inspektimit të fundit të Komisionit Europian deri më tani.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›