Tirana lëkundet nga tërmeti

Lëkundje të forta tërmeti me manjitudë pesë deri në gjashtë ballë kanë tronditur sot në orët e para të mëngjesit Tiranën dhe zonat përreth. Epiqendra e tërmetit, që është ndjerë rreth orës 04:15, ishte në fshatin Shkallë, vetëm 13 kilometra larg kryeqytetit. Por lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në rrethin e Elbasanit, Bulqizës, Matit dhe Krujës. Në këto rrethe manjituda e tërmetit ka qenë katër deri në pesë ballë. Deri tani nuk raportohen dëme. Sizmiologu Rrapo Ormeni deklaroi për Ora News, se gjatë tërmetit janë ndjerë shtatë goditje, të cilat kanë ardhur në rënie. Sipas tij lëkundjet nga tërmeti kanë ardhur drejt shuarjes dhe nuk ka arsye që banorët t'i kapë paniku.