E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barrot: “Zgjedhjet e qershorit, në lupën e Komisionit Europian”

Zëvendëspresidenti i KE-së vë theksin te zgjedhjet brenda standardeve. “Duhen strategji afatgjata, që sigurojnë transparencë dhe eficencë në Drejtësi”

Eljona Ballhysa
Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Zhak Barrot, gjatë takimeve të djeshme në Tiranë me ministrat Nishani e Alibeaj, ka vënë theksin në domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme më 28 qershor. Ai ka bërë të ditur se KE-ja do të monitorojë ecurinë e procesit zgjedhor dhe se është momenti që vendi të tregojë pjekuri demokratike. Barrot gjithashtu ka kërkuar rritjen e transparencës dhe eficencës në sistemin e Drejtësisë. Ndërsa ministri i Brendshëm dhe ai i Drejtësisë kanë raportuar mbi ecurinë e reformave në vend, veçanërisht për procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.
Zgjedhjet
Gjatë takimit me ministrin Nishani, zv.presidenti i KE-së, Barrot, ka deklaruar se vëmendja e Komisionit Europian për Shqipërinë është përqendruar te zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Zgjedhjet e qershorit duhet të zhvillohen sipas standardeve europiane, pasi është momenti për të dëshmuar pjekuri demokratike”, - është shprehur Barrot në këtë takim. Nga ana e tij Nishani ka informuar për përgatitjet e procesit zgjedhor si dhe rolin që do të ketë Policia e Shtetit në këto zgjedhje. “Që nga muaji tetor funksionon një regjistër unik elektronik i shtetasve, nga i cili është gjeneruar edhe lista e zgjedhësve katër muaj para datës së zgjedhjeve. Brenda muajit maj është plotësisht e mundur që të pajisen me letërnjoftime të gjithë shtetasit që nuk zotërojnë pasaportën aktuale për udhëtim jashtë shtetit. Ndërkohë që policia po trajnohet për këtë qëllim dhe roli i saj ka të bëjë vetëm me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe shoqërimin e kutive të votimit”, - është shprehur Nishani. Ministri i Brendshëm gjithashtu ka prezantuar shifra konkrete në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme e korrupsionit, si dhe për menaxhimin e integruar të kufirit.
Zv.presidenti i KE-së, Barrot, gjatë fjalës së tij ka inkurajuar luftën kundër të gjitha formave të krimit rezultatet e të cilave do të çojnë në liberalizimin e vizave. “Rezultatet tuaja përbëjnë edhe argumente të rëndësishme për të mbërritur te heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. Është e rëndësishme gjithashtu t’u shpjegoni shqiptarëve se jeni treguar të rreptë e të ashpër me të gjitha format e kriminalitetit, për të realizuar objektivin për t’i futur në Europë”, - është shprehur Barrot.
Drejtësia
Ndërsa në takimin me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Aliebaj, zëvendëspresidenti i KE-së ka vënë theksin në domosdoshmërinë e rritjes së transparencës dhe të eficencës në sistemin e Drejtësisë. “Ju keni arritur suksese në zbatimin e disa strategjive në Drejtësi, tani duhet të krijoni strategji afatgjata, që sigurojnë transparencë dhe eficencë. Reformat në Drejtësi duan maturi dhe kujdes, sepse rrethi i gjyqtarëve kudo është i ndjeshëm”, - është shprehur Barrot gjatë këtij takimi. Më tej dy politikanët kanë diskutuar për problemet që janë hasur gjatë kryerjes së reformave në Drejtësi, ndërsa ranë dakord për rëndësinë absolute që ka kjo reformë në integrimin Shqipërisë në Bashkimin Europian. Barrot, i cili është përgjegjës për çështjet e sigurisë, të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar dhe të sistemit të Drejtësisë në Komisionin Europian, u njoh me hartimin dhe miratimin e ligjeve të reja si ai Prokurorisë, i organizimit të pushtetit gjyqësor, ligjit për ngritjen e gjykatave administrative etj.
Në përfundim të takimit Barrot premtoi se Shqipërisë nuk do t’i mungojë ndihma e Komisionit Europian.

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›