E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Nuk e përjashtoj mundësinë që Xhindi të jetë vrarë për arsye politike



Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka deklaruar se është shumë shpejt për të folur për pistat që bëjnë fjalë për shkaqet e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Por Ruçi tha se duke qenë se deputeti Xhindi njihej si njeri aspak konfliktual, nuk e përjashtonte mundësinë që vrasja e tij të jetë bërë për arsye politike. Ruçi tha se strukturat e shtetit po e mbajnë ngjarjen në një terr informativ, por se shumë shpejt me marrjen e informacioneve Partia Socialiste do të bëjë publike edhe qëndrimet e saj.

Braçe: “Është cenuar rëndë siguria e jetës në Shqipëri”

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se përjashtonte çdo mundësi që vrasja e deputetit Xhindi të jetë bërë për arsye personale, pasi sipas tij Xhindi ishte një deputet i qetë dhe pa asnjë lloj konflikti. Braçe tha se kjo ngjarje e rëndë konfirmon se në Shqipëria siguria për jetën është në nivel zero. “U jap të drejtën njerëzve që janë të revoltuar, pasi kjo ngjarje konfirmon se nuk ka siguri në këtë vend. Nuk ka siguri për jetën, për politikanët, as për politikanin më të urtë ndër politikanët, as për njeriun pa konflikte në radhët e politikanëve. Nuk ka siguri as për njerëzit e thjeshtë. Njerëzit në Roskovec kanë të drejtë që të jenë të irrituar. Ky është një ogur shumë i keq për gjithë Shqipërinë, jo vetëm për Roskovecin. Është pak shpejt për të thënë se cilat kanë qenë arsyet, por unë personalisht përjashtoj kategorikisht çdo lloj problemi personal. Zoti Xhindi nuk ka pasur asnjëherë probleme personale me askënd. E njoh shumë mirë zotin Xhindi. Nuk ka një rast të vetëm që familja e tij apo ai të jetë konfliktuar me njeri të vetëm. Policia duhet të zbardh menjëherë ngjarjen”, - tha Braçe.

Reagimet

Kryeparlamentarja, Topalli së bashku me deputetë të tjerë të Partisë Demokratike, është nisur drejt Roskovecit, ku i ka shprehur familjes së deputetit Xhindi ngushëllimet. Topalli tha se vrasja e deputetit është një akt kriminal i shëmtuar që meriton dënimin më të rëndë. “Kemi humbur një koleg që ka kontribute për t’u vlerësuar. Jam i bindur që organet kompetente do të bëjnë të mundur që ai që ka kryer këtë krim të rëndë të marrë dënimin e merituar”, - tha Topalli. Edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka kërkuar menjëherë zbardhjen e ngjarjes. “Zoti Xhindi ka qenë një deputet shumë korrekt, me marrëdhënie shumë të mira me kolegët, me njerëzit, me zonën dhe një deputet shembullor. Për ne kjo është një tronditje e madhe dhe jemi të pikëlluar për këtë humbje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse që të marrin masa për zbardhjen e ngjarjes”, - theksoi Leskaj.
Ndërkohë, deputeti i PSV ‘91, Petro Koçi, tha se kjo ngjarje e rëndë do të ketë pasoja të rënda për vendin dhe do të destabilizojë situatën në rast se vërtetohet se motivet e kësaj vrasjeje janë politike.

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›