Berisha çel sezonin turistik nga qyteti i Sarandës, premton rritje të turistëve
Kryeministri Berisha përshëndeti dje në Sarandë hapjen e sezonit turistik në vend dhe i uroi qytetarët e Sarandës dhe të të gjithë Shqipërisë për një sezon turistik edhe më të suksesshëm. “Së bashku ne çelim sezonin turistik të Sarandës dhe mbarë Shqipërisë. Sezon në të cilin Saranda, Bregu, Vlora, Durrësi, Velipoja, Shëngjini, Ksamili, i tërë bregdeti shqiptar përgatitet të presë miliona qytetarë dhe qytetare nga vende të ndryshme nga mbarë bota, t’u ofrojë atyre mikpritjen e shkëlqyer shqiptare, t’u ofrojë atyre pasuritë e mëdha kulturore, shpirtërore, fetare dhe të gjithanshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve, t’u ofrojë ujërat më të kthjellëta më të pastra, t’u ofrojë shërbimet më të mira”, - u shpreh kryeministri, drejtuar qytetarëve të Sarandës. Kryeministri tha se falë mikpritjes shqiptare dhe mbështetjes që qeveria i ka dhënë zhvillimit të gjithanshëm të vendit, veçanërisht turizmit, vitin e kaluar në Shqipëri kanë hyrë 2.7 milionë vizitorë, kundrejt 300 mijë gjithsej gjatë gjithë vitit 2004 dhe vetëm Saranda, në verën e kaluar, ia dalë të presë 300 mijë turistë, aq sa kishin hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2004. “Hapja e sezonit turistik do të punësojë qindra të rinj në sektorin e shërbimeve dhe qindra e qindra milionë euro do të shpenzohen nga turistët në Sarandë dhe mbarë Shqipërinë. Shqipëria ka potenciale të mëdha zhvillimore, por potencialin e të gjitha potencialeve Shqipëria e ka në turizmin e saj, e ka në Sarandë, në bregdet, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shëngjin etj.”, - është shprehur Berisha. Më pas, kryeministri Berisha mori pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e çeljes së sezonit turistik. Kryeministri vizitoi panairin përgjatë shëtitores së qytetit, në stendat e ndryshme të të cilit ishin ekspozuar punime artizanale nga Saranda dhe zonat përreth, piktura dhe punime të fëmijëve nga Qendra Kulturore e Sarandës. Kryeministri u ndal në stendën e fondacionit “Lidia”, ku ishin ekspozuar fotografi të rreth 80 monumenteve të kulturës së Sarandës dhe Delvinës. Kryeministri Berisha i përgëzoi për ekspozitën dhe u kërkoi të shihnin mundësitë që ekspozita të qëndronte e hapur gjatë gjithë vitit dhe t’u shërbente turistëve si një guidë.
Patozi, Bode e Olldashi vazhdojnë takimet në komunat e vendit
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në vazhdën e turit paraelektoral, është ndalur dje në një tjetër komunë të rrethit të Matit, në komunën e Lisit. Duke folur para banoreve Patozi u shpreh se gjatë qeverisjes socialiste zonat e thella të vendit ishin të harruara nga kasta e atëhershme në pushtet. “Disa vjet më parë Lisi, Burreli, Mati në përgjithësi, kanë qenë të harruarit dhe të braktisurit e mëdhenj të qeverive të Partisë Socialiste”, - është shprehur Patozi, i cili ka renditur ndryshimet pozitive në këto zona gjatë qeverisjes së PD-së.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, është ndalur në takime të ndryshime me banorë të zonës së Librazhdit, ku ka kërkuar të votojnë për një mandat të dytë për maxhorancën aktuale. “Kur kam ardhur këtu në Polis më keni thënë së ka qenë një dëshirë dhe një ëndërr juaja asfaltimi i rrugës nga rruga nacionale deri në qendër të komunës dhe ne këtë rrugë e kemi përfunduar”, - ka theksuar Bode.
Ndërsa ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka zhvilluar së fundi takime me banorë të Tërbufit, Dushkut e Ballagatit në Lushnjë. “Nuk jemi ne që thjesht po themi, por po tregojmë çdo ditë me fakte që ne i kemi realizuar ato që kemi premtuar”,- është shprehur Olldashi.
4 Maj 2009