Vrasja e deputetit Xhindi, mediat ndërkombëtare raportojnë ngjarjen
Vetëm 1 orë pas vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi, lajmi ka marrë dhenë edhe në agjencitë më të mëdha ndërkombëtare të lajmeve. Lajmi është konsideruar shokues, ndërsa të dhënat zyrtare të paraqitura nga Policia shqiptare pas ngjarjes janë raportuar dhe nga agjencitë “Reuters” “Mediaset” në Itali si dhe nga një numër i madh agjencish spanjolle, serbe, gjermane etj. Deputeti Fatmir Xhindi ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme, pas një atentati që i kryen afër shtëpisë së tij në Roskovec. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Klodian Branko, konfirmoi zyrtarisht lajmin e dhënë vetëm 20 minuta pas vrasjes. Konfirmohet se deputeti Fatmir Xhindi ka qenë në orën 21:15 duke iu afruar banesës së tij kur pikërisht te porta, ndërsa po përgatitej të dilte nga makina e tij, ku ndodhej i vetëm, është qëlluar me armë zjarri. Policia tha se viktima është qëlluar me një armë automatike të llojit “Kallashnikov” dhe nga breshëritë plumbave, disa prej tyre kanë zënë Xhindin. Në gjendje kritike për jetën ai është dërguar në spitalin vendor, ku mjekët thanë se ai kishte ndërruar jetë nga plagët fatale të marra në trup.
4 Maj 2009