Baruti i Gërdecit shitej përmes SerbisëNga Gjergj ThanasiTragjedia e Gërdecit, me 26 të vrarë, mbi 280 të plagosur dhe me dhjetëra milionë dollarë dëme të pasurisë private, publike dhe ushtarake, nuk ishte gjë tjetër veçse një zinxhir shpërthimesh, p
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Baruti i Gërdecit shitej përmes SerbisëNga Gjergj ThanasiTragjedia e Gërdecit, me 26 të vrarë, mbi 280 të plagosur dhe me dhjetëra milionë dollarë dëme të pasurisë private, publike dhe ushtarake, nuk ishte gjë tjetër veçse një zinxhir shpërthimesh, predhash, tritpli, ekzogjeni dhe baruti. Në këtë vazhdë shpërthimesh, dëmet më të mëdha i shkaktoi shpërthimi i barutit, sidomos sasia prej qindra tonësh e magazinuar në ish-fjetoret e ushtarëve në pjesën veriperëndimore të objektit të Gërdecit. Pikërisht magazinimi jashtë çdo kushti teknik i qindra tonëve barut përbën një nga enigmat e çështjes Gërdeci.
Shitja e barutit, që rezultonte nga procesi i demontimit, kishte pasur treg të sigurt dhe më parë. Kështu nuk dilte nevoja të magazinoheshin sasi të tilla baruti. Ky barut shitej nga firma amerikane SAC te firma belge PB Clermont, pranë Liezhit, një nga firmat më serioze dhe më të njohura për prodhimin e barutit në shkallë botërore.
Çdo eksport për firmën belge kryhej me 2-3 kamionë, në sasi jo më të madhe se 30-50 tonë barut. Eksporti funksiononte kështu: Paraprakisht plotësohej dokumentacioni për të gjithë sasinë e llogaritur për eksport. Ja disa shembuj: Kontrata nr. 1-9-2007, Bel-Alb, dt. 7-6-2007 prej 700.000 kg. Barut me leje eksporti nr. 74-38, dt. 29-10-2007, apo kontrata 1-7-2007, Bel-Alb, dt. 23-3-2007 prej 113.380 kg. Barut, me leje eksporti nr. 34-30, dt. 14-5-2007.
Më pas bëhej eksporti gradualisht sipas sasisë së barutit që nxirrej nga demontimi.
Në fillim të vitit 2008, me kontratën e dytë për demontimin e municioneve të kalibrit 20-152 mm, gjërat dolën jashtë kontrollit. Sasia e barutit të rikuperuar nga demontimi i predhave të artilerisë u rrit shumë. Në vend që baruti të eksportohej menjëherë, sapo të krijohej një sasi prej 40-50 tonësh, ai vazhdoi të magazinohej në Gërdec duke shkelur kushtet më minimale të sigurisë teknike. Për standardet e sigurisë të depove të përafërta me ato të NATO-s, as që bëhej fjalë. Ky magazinim justifikohej me gjoja vonesën e kontejnerëve, që do të vinin nga Izraeli apo me burokracinë në dhënien e vizave për kamionistët serbë, që do të transportonin barutin. Këto justifikime nuk qëndronin. Kështu, vetëm në bazën e ushtrisë në Shkozet (Durrës) gjendeshin dhjetëra kontejnerë bosh. Këta kontejnerë mund t’i viheshin në dispozicion “zotërinjve” të Gërdecit, siç iu vu edhe fadroma ushtarake bashkë me fadromistin e ndjerë.
Për sa i përket vizave për kamionistët serbë, ambasada jonë në Beograd nuk kishte krijuar probleme më parë edhe në raste ekstreme. Tipik është rasti i shoferit serb Radasinoviç Milan, me kamion me targë NS 228-602/58-03 NS, i cili dyshohej se kishte qenë anëtar i grupit çetnik “Munja”, që kishte kryer krime të përbindshme kundër shqiptarëve në Prizren.
Normalisht ngrihet pyetja: Pse u lejua grumbullimi i 800-900 tonëve barut në Gërdec?
Le të shqyrtojmë procedurën e eksporteve të mëparshme të barutit. Në shumicën e rasteve, para se të ngarkohej baruti në mjetet serbe (fatkeqësisht, as shqiptarët, as belgët nuk dispononin kamionë, shoferë apo kontejnerë!!), pritej të ktheheshin në Rinas avionët cargo, që kishin eksportuar në Afganistan fishekët e Diverolit. Gjithsej ishin bërë 44 udhëtime nga Rinasi për në Kabul dhe Xhelalabad. Në disa prej këtyre udhëtimeve, për të mos u kthyer bosh avioni, transportohej për në Rinas mall i prodhimit afgan. Mbasi avioni arrinte në Rinas, malli ngarkohej në avionët serbë dhe pastaj në Gërdec ngarkoheshin thasët me barut në këta kamionë. Mjetet më pas bënin doganimin, d.m.th., përpilimin e dokumentacionit dhe plumbosjen e mjeteve në doganën e Tiranës. Eksporti drejt Belgjikës kryhej nga PKK e Qafë-Thanës. Gjithë transporti bëhej i shoqëruar nga policia ushtarake. Shkresa nr. 2395/4080 dt. 02-11-2007 për Shtabin e Përgjithshëm dhe memo dt. 2-11-2007 e kolonelit Hysen Cekodhima për gjeneral-lejtnant Hoxhën, provojnë, si shoqërimin me polici ushtarake, edhe itinerarin e çuditshëm Gërdec-Qafë Thanë-Serbi-Slloveni-Austri-Gjermani-Belgjikë. Në këto shkresa ndeshen emrat e drejtorit Pinari, gjeneral Luan Hoxhës, gjeneral Agim Lalës, kolonel Hysen Cekodhimës dhe kolonel Drinit të policisë ushtarake, si dhe sigla domethënëse “Urgjent”. Nga këto shkresa duket qartë se strukturat më të larta të ushtrisë shqiptare me urgjencë viheshin në dispozicion të transitimit nëpërmjet Serbisë të barutit shqiptar dhe mallit të ardhur nga Afganistani.
Doganat belge i kërkuan sqarime firmës PB Clermont, pse kamionët e ardhur nga Shqipëria ishin plumbosur me plumbçe serbe, ndërsa në dokumentin e quajtur TIR CARNET, rezultonin me plumbçe shqiptare. Nëpunësit e firmës belge, si p.sh., Pierre Buttiens, Romain Lepage dhe Daniel Arent, e ngritën problemin me palën shqiptare.
Një tjetër fakt interesant i këtij eksporti është se pala belge interesohej vetëm për barutin dhe për asnjë mall tjetër. Pagesa është bërë nga llogaria bankare nr. 2400125000-68 e hapur në “Fortis Bank” me adresë Place Xavier Neujean 8, 4000 Liege.
Si përfundim i mbetet organeve të specializuara të sqarojnë disa pika të errëta të këtij eksporti të barutit të Gërdecit:
1. Itinerarin e zgjatur dhe të pazakontë nga Gërdeci për Qafë-Thanë, Serbi, dhe Belgjikë.
2. Zëvendësimi i plumbçeve shqiptare me ato serbe.
3. Natyra e papërcaktuar e mallit të ardhur në Rinas me avionët e fishekëve të Diverolit.
Të tërheq vëmendjen shkelja e rregullave të sigurisë në magazinimin e sasive të stërmëdha të barutit vetëm e vetëm për të pritur kthimin e avionëve nga Afganistani. Me interes është dhe kontrolli i dokumentit të quajtur “Cargo Manifest” të këtyre avionëve, i cili duhet të jetë ruajtur në organet përkatëse të aeroportit të Rinasit.