E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha e Lohan inspektojnë rrugorët

 

TIRANE - Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, bashkë me ambasadorin e KE-së, Helmut Lohan, inspektuan mesditën e djeshme Policinë e Qarkullimit Rrugor në kryeqytet. Ministri Basha evidentoi mungesën e sinjalistikës rrugore si shkak i aksidenteve. Ai tha se në qytetet kryesore të vendit kryesisht në Tiranë sinjalistika rrugore lë për të dëshiruar, ndërsa i bëri thirrje pushtetit vendor të bashkëpunojë më ngushtësisht me qëllim riparimin e sinjalistikës. Gjatë këtij viti mbi 300 persona kanë humbur jetën për shkak të aksidenteve rrugore. Për këtë arsye 150 efektiva të Policisë Rrugore, nën asistencën e policisë austriake dhe asaj sllovene, zhvilluan një trajnim i cili përfundoi dje. Shefi i delegacionit të KE-së në Tiranë Helmut Lohan u shpreh se trajnimi i Policisë Rrugore dhe puna për ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve duhet të jenë prioritete me qëllim uljen e numrit të aksidenteve. “Besoj se këtë vit numri i personave, që kanë humbur jetën për shkak të aksidenteve rrugore është mbi 300. Në Shqipëri numri i aksidenteve në lidhje me numrin e makinave krahasuar me Austrinë është tetë herë më i lartë. Prandaj duhet që të gjithë faktorët të bashkërendojnë punën me qëllim uljen e numrit të viktimave nga aksidentet”, tha Lohan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›