E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasojat e deformimit të sistemit gjyqësor Nga Faktori PlusDebati për të drejtat e njeriut në një vend demokratik është gjithmonë i ndryshëm nga debati për liritë njerëzore në një vend që jeton nën diktaturë apo regjim antidemokratik. Shqipëria, e cil

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Pasojat e deformimit të sistemit gjyqësor Nga Faktori Plus

Debati për të drejtat e njeriut në një vend demokratik është gjithmonë i ndryshëm nga debati për liritë njerëzore në një vend që jeton nën diktaturë apo regjim antidemokratik. Shqipëria, e cila konsiderohet ende një demokraci mikse, e ka po ashtu të vështirë fokusimin te temat reale të të drejtave të njeriut në vend.

Pika kyçe për liritë dhe të drejtat njerëzore në një sistem demokratik mbetet pavarësia e gjyqësorit. Qytetarët kanë të vetmin garant të tyre një sistem gjyqësor që është në anën e tyre, nëse ata cenohen për arsye politike, racore, krahinore apo fizike. Pikërisht ky mekanizëm në Shqipëri funksionon me defekte.

Sistemi gjyqësor në Shqipëri është i pranuar gjerësisht si jo i pavarur dhe me ndikime të forta politike. Duke bërë shërbime politike, ky sistem merr shpeshherë leje jozyrtare dhe për të qenë i korruptuar. Shumë gjyqtarë apo prokurorë, që përdoren politikisht, e bëjnë këtë shërbim për t’i lejuar vetes akte korruptive, për të cilat ka imunitet politik. Kështu, mes së drejtës së familjarëve të 26 viktimave në Gërdec dhe ministrit Mediu, drejtësia anoi nga ministri Mediu duke ia mbyllur çështjen politikisht për shkak të imunitetit. E drejta e familjarëve për të parë përgjegjësin kryesor para drejtësisë u mohua për shkak të varësisë politike të sistemit të drejtësisë. Po ashtu, e drejta e qytetarëve shqiptarë për të mësuar për fatin e taksave të tyre të shpenzuara në mënyrë të dyshimtë në një segment rrugor prej 60 km, u mohua nga drejtësia shqiptare duke favorizuar një ministër të kabinetit Berisha, të cilit ia pushuan çështjen me procedurë.

Këta dhe shembuj të tjerë të këtij viti kanë lënë një shije të hidhur mbi garancinë kryesore të qytetarëve shqiptarë, që duhet të jetë sistemi i drejtësisë. Dhe ky është problemi i parë i madh që kanë liritë dhe të drejtat njerëzore në këtë vend.

Problemi i dytë është rasti kur gjyqësori vepron, por qeveria nuk e përfill atë. Rasti i zbimit të gazetës “TemA” nga zyrat e saj përkundër vendimit të një gjykate, që e ndalonte qeverinë të vepronte apo rasti i tentimit për shembje të pallatit në qendër të Tiranës përkundër lejeve që një qytetar zotëron për investimin e tij, janë raste që ngjallin frikë dhe mosbesim te shteti ligjor dhe dobësojnë klimën e investimeve në një vend të pasigurt, ku as ligji nuk të mbron dot.

Së fundmi, një problem ende i pazgjidhur mbetet hipokrizia, me të cilën qeveria shqiptare, por dhe shoqëria në përgjithësi, mban qëndrim ndaj grupeve minore në shoqëri. Shqipëria është vendi që ende nuk ka asnjë hap të sinqertë për të integruar në shoqëri pakica të tilla si ajo rome, ndaj të cilave ka racizëm të pafrenuar dhe ka një hipokrizi zyrtare ndaj grupeve të tilla si homoseksualët apo për barazinë gjinore. Mjafton të dëgjosh fjalimet e fundit të kryeministrit Berisha për të kuptuar se dhuna mbi gruan, mbi fëmijët dhe grupet me devijime fizike, frymëzohet nga kreu i qeverisë dhe nuk guxon të kundërshtohet nga askush. E gjithë kjo vjen pikësëpari se vendi nuk ka një sistem gjyqësor që të trajtojë me të njëjtin kriter, dhe kryeministrin, dhe qytetarin e thjeshtë, dhe se korrupsioni, i cili po lulëzon, po shkatërron shanset e barazisë para ligjit dhe shtetit ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›