Basesku u rikthye në zyrë, por trazirat politike ende s’kanë mbaruar
Gjykata Kushtetuese e Rumanisë të martën (21 gusht) konfirmoi se referendumi kombëtar për të hequr Presidentin Trajan Bashesku nuk arriti pjesëmarrjen e kërkuar prej 50 përqind, duke i hapur rrugën atij për t’u kthyer në zyrë dhe i krijoi një pengesë koalicionint social-liberal (USL) në pushtet që u përpoq të orkestrojë heqjen e tij.
Por komentuesit thanë se trazira politike pritet të vazhdojë, me zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në nëntor. "Është e qartë se nuk do të ketë qetësi politike, këtë mund t’a themi duke parë deklaratat e forta që u bënë dje nga udhëheqësit social-liberalë," tha për SETimes Septimius Pirvu, zëvendës/drejtor i Shoqatës Pro Demokraci, një OJQ kryesore rumune . "Vendimi i gjykatës do të krijojë mosmarrëveshje të mëtejshme politike e ka rrezik bllokimi në veprimtarinë e institucioneve qendrore".
Bashesku u akuzua e u pezullua në korrik nga shumica social-liberale në pushtet e udhëhequr nga Kryeministri Viktor Ponta e Krin Antonesku, presidenti i tanishëm i përkohshëm, të cilët e akuzuan Basheskun për tejkalim të kompetencave kushtetuese të tij. Megjithëse rreth 88 përqind e votuesve që hodhën votën më 29 korrik votuan në mbështetje të largimit të Basheskut, vetëm 46 për qind e votuesve të regjistruar hodhën votat e tyre. Referendumi kërkon që të paktën 50 për qind e votuesve të regjistruar të veprojnë në mënyrë që të jetë i vlefshëm. USL u ankua se listat zgjedhore nuk ishin të sakta e kërkoi që Gjykata Kushtetuese të lejonte qeverinë që t’i azhornonte ato pas referendumit, në një përpjekje të fundit për t’i dhënë vlefshmëri referendumit. Gjykata në 2 gusht ra dakord që të tërheqë vendimin derisa të merrte listat e azhornuara.
Listat mbërritën këtë javë e të martën, gjykata votoi 6-3 për të zhvlerësuar referendumin për heqjen. Bashesku pritet të kthehet në detyrë në fund të kësaj jave pasi parlamenti të mblidhet për të pranuar vendimin. "Do të respektojmë vendimin e gjykatës, por është i padrejtë, kundër parimeve demokratike e një shumice absolute rumunësh që votuan për ndryshimin e një regjimi politik," tha Ponta. Antonesku, një udhëheqës liberal, tha se "Eshtë një ditë e vështirë për popullin që beson në demokraci. Lufta jonë kundër rregjimit të Baseskut do të vazhdojë derisa ai të eliminohet." "Vendimi ishte i ligjshëm e i saktë, megjithëse disa nuk e pëlqejnë. Bashesku u pezullua pa asnjë bazë kushtetuese", tha për SETimes Mihaela Miroiu, profesore e Shkollës Kombëtare të Studimeve Politike e Administrative në Bukuresht. "Sigurisht që konfrontimi politik do të vazhdojë, por shoh edhe anën tjetër të medaljes në këtë krizë: të gjitha këto debate që kemi përjetuar po u mësojnë rumunëve se çfarë do të thotë shteti i së drejtës, sepse na mungon kultura politike," tha ajo. Përpjekja e social-liberalëve për të larguar Basheskun solli zemërimin e Perëndimit, i cili akuzoi koalicionin për cenim të shtetit të së drejtës. Tensionet e çuan gjithashtu monedhën rumune në rekordin më të ulët ndaj euros e tronditën rëndë besimin e investitorëve të huaj. Shumë ishin të zhgënjyer nga vendimi. "Ky mund të jetë i ligjshëm, por sigurisht që është i pamoralshëm. Po ata 7.4 milionë rumunë që i thanë Baseskut ‘jo’? Si mund të injorohet vota e tyre duke qenë se e kanë përmendur kaq shpesh fjalën demokraci këto ditë?" tha për SETimes Adrian Patrasku, një inxhinier kompjuterësh në Jasi. Por Miroiu nuk pajtohet me këtë. "Nëse heq 7.4 milionë nga 18 milionë votues të rregjistruar arrin në një shifër edhe më të madhe personash që ose mbështetën Baseskun ose nuk besonin në këtë referendum dhe e bojkotuan atë," tha ajo. Kriza gjithashtu mund të ketë ndikime në zgjedhjet e kësaj vjeshte, tha Pirvu. "Shumë qytetarë janë të acaruar se vota e tyre nuk u mor parasysh në vendimin e gjykatës, prandaj mund të dëshmojmë një pjesëmarrje të ulët ose një votë negative në zgjedhjet parlamentare të nëntorit".