Raportet e PS me votën, nga dënimi i komisionerëve te stilolapsi përgjues
Partia Socialiste ka ngritur në vazhdimësi shqetësime rreth vlerësimit të votës, më shumë në kontekstin e zhurmës politike, pasi i madh e i vogël e di se vota e PS është e garantuar nga përfaqësuesit e saj në komisionet zonale. Është e vërtetë se Partia Socialiste ka krijuar një precedent të rrezikshëm sa i takon njohjes dhe vlerësimit të votës së qytetarëve shqiptarë.
Fatkeqësisht fenomeni i krijuar gjatë 7 viteve të fundit, është modeli më i shëmtuar që jo vetëm cenon në thelb një nga parimet bazë të funksionimit të demokracisë (zgjedhjet e lira), por njëherazi e nxin Shqipërinë përmes pagatorëve keqdashës të cilët i përcjellin kancelarive perëndimore raporte të rreme nga zyra e kryesocialistit Edi Rama. Pamundësia për të qenë protagonist politik në krye të një partie të cilën për hir të së vërtetës e mori dhuratë nga Fatos Nano, Edi Rama e ka thuajse të pamundur të rreshtohet në kah të ish drejtueseve më të votuar të PS. Prej 7 vitesh ai s’ka krijuar një profil të besueshëm politik, duke mbetur gjithsesi peng i strategjive ziliqare me të cilat mbijetoi në Bashkinë e Tiranës 11 vjet.
Problemi i lidershipit është një faktor madhor si dhe përcaktues në paaftësinë e Ramës për të bindur votuesit e majtë se ai bën për lider dhe përfaqëson denjësisht atë elektorat tradicional. Sot, ky elektorat nuk ekziston më, për sa kohë Rama akuzon komisionerët e PS për deformim të votave, apo shan dhe pështyn votuesit socialistë pse vota e tyre nuk shumëzohet me 2. Pikërisht mungesa e besimit dhe tendenca për të keqtrajtuar sjelljen elektorale të votuesve, janë indirekt (por me pasoja të forta), faktorët negativë që cenojnë besueshmërinë e zgjedhjeve, duke ekuivalentuar në mos njohje të rezultatit apo dhe reprezalje antishtetërore.
Në fakt ky është edhe interesi primar i opozitës, shndërrimi i proceseve zgjedhore në “fushë betejë” të konfliktit politik. Kjo, si forma e vetme që mund të prodhojë destruktivitet dhe reagim masiv. Përveç organizimit të disa personave me precedentë penal (ish të burgosur për disa vepra penale), në djegien e gomave dhe bllokimin e rrugëve, sjellje këto të izoluara..., apo edhe në rrethimin e institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PS nuk arriti në asnjë moment të krijojë besueshmëri për kauzën e saj politike, lidhur me pretendimet të tilla si “deformimi i votës”. Edhe sot e kësaj dite jetojmë në të njëjtat kushte dhe përballë faktit të tentativës për të prodhuar zhvlerësimin e sjelljes së votuesuve, përmes angazhimit të podiumeve politike dhe qarqeve mediatike të blera, në funksion të humbjes së qëllimshme të besueshmërisë së zgjedhësve dhe alarmit (përçudnues), se “ky sistem nuk garanton votën”.
Gjithsesi, problemet e PS-së me votën nuk janë ato që afishohen në konferencat e gjata për shtyp të oborrit opozitar, as komisionerët (për të cilët u kërkua një dënim kapital prej 8 vitesh), por aty, tek “stilolapsi përgjues”, mungesa e besimit dhe paniku i Ramës se s’ka për t’i marrë ndonjëherë meritat e liderit.