E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk ka asnjë pengesë ligjore, imunitetin e bllokon opozita”

24-08-2012 / Gazeta 55

Heqja e imunitetit, flet deputeti i PD, Fatos Hoxha
 
“Parlamenti në çdo kohë e ka mundësinë për të hedhur në votim imunitetin, por kjo sipas tij pamundësohet nga opozita e cila kërkon që bashkë më këtë projektligj të hidhen në votim edhe ndryshimet në drejtësi”
 
Hoxha: PS po sulmon Presidentin - shkarkimi i kreut të SHISH, për mosrealizim të detyrës
 
“E ndërsa flitej se Kuvendi i Shqipërisë duhej të priste dhe një vit për të hedhur në votim çështjen e heqjes së imunitetit edhe në rastin e mundshëm të një konsensusi me palëve, duket se kjo nuk është pengesa reale, pasi e tillë konsiderohet vetë kushtëzimi i opozitës”. Kështu u shpreh dje deputeti demokrat, Fatos Hoxha, gjatë një deklarate për mediat, duke theksuar se Parlamenti në çdo kohë e ka mundësinë për të hedhur në votim imunitetin, por kjo sipas tij pamundësohet nga opozita e cila kërkon që bashkë më këtë projektligj të hidhen në votim edhe ndryshimet në drejtësi, fakt ky që nuk pranohet nga mazhoranca.
Në këtë kontekst Hoxha e analizon qëndrimin e opozitës si një vazhdimësi të politikës bllokuese ndër vite, duke sjellë si shembuj heqjen e vizave dhe institucionin e Avokatit të Popullit.
“Heqja e imunitetit është një nga kushtet kryesore që iu kërkua mazhorancës nga BE për marrjen e statusit dhe mazhoranca iu përgjigj në unitet me 6 gusht, pranoi çdo variant, duke përpiluar draftin e përbashkët me opozitën. Nuk ka çështje më të rëndësishme për Shqipërinë se integrimi evropian. Në seancën e 6 gushtit opozita përveçse kundërshtoi variantin e ndërkombëtarëve, nuk votoi as variantin e propozuar nga vetë ajo. Imuniteti është gangrenë e korrupsionit. PS kërkon të bllokojë me çdo kusht marrjen e statusit, e cila do të ndëshkohet në zgjedhjet elektorale të 2013, të njëjtën lojë ka ndjekur edhe për heqjen e vizave. Sot ata kanë në dorë të bllokojnë këtë gjë. Marrja e statusit do jetë shumë e vështirë nëse nuk hiqet imuniteti, raporti fillon të bëhet në shtator, dhe jo pa arsye opozita është shprehur që kemi kohë në shtator që të kalohen bashkë me ndryshimet në gjyqësor. Pra po synon vetëm të bllokojë, njësoj siç mbajti peng për 2 vjet institucionin e Avokatit të Popullit. Pavarësisht deklaratave të tyre, politika e vetme është ajo e bllokimit. Kuvendi e ka në çdo kohë mundësinë. Edhe sikur këtë ta realizojmë në seancën e 3 shtatorit është e pamundur pasi opozita ka paralajmëruar që nuk e voton të vetme, kërkon qiqra në hell. Kryeministri ka shprehur se do i drejtohemi popullit për imunitetin, nuk kemi rrugë tjetër, asgjë nuk e ndalon këtë mazhorancë për imunitetin. Ne u tërhoqëm dhe shkuam në variantin e PS vetëm për hir të integrimit”, u shpreh Hoxha.
Deputeti i PD-së shigjetoi opozitën edhe në lidhje me sjelljen e saj ndaj Presidentit Bujar Nishani, duke theksuar se, “po kërkojnë ta frenojnë dhe ta godasin ende pa filluar punën”. Duke mbetur tek molla e sherrit mes opozitës dhe Presidentit, shkarkimi i Kreut të SHISH-it, Bahri Shaqirit, Hoxha shkon në të njëjtën linjë edhe me deputetë të tjerë të mazhorancës, duke e konsideruar pushimin nga detyra të tij jo vetëm legjitime për shkak të mandatit të konsumuar, por edhe për vetë mosrealizimin e detyrës, në mënyrë të veçantë në ngjarjen e 21 janarit.
“Është ky President që është marrë si shembull nga Edi Rama për përmbushje të detyrës si Ministër, ndërsa sot është vënë në shënjestër pse emëroi në krye të SHISH një emër të propozuar nga Kryeministri. Duan ta frenojnë në detyrën e tij, kërkojnë ta godasin pa filluar punë akoma. Presidenti është zotuar për reforma në drejtësi, do të godasë fort këto fenomene, duke mos lënë jashtë vëmendjes pasurimin e pafund jo vetëm të gjyqtarëve por edhe të politikanëve. Mazhoranca ka bashkëpunuar për 7 vjet me kreun e SHISH që vinte nga radhët e opozitës, Kryeministri ka bashkëpunuar me të gjatë gjithë periudhës pavarësisht kësaj. Shaqiri nuk ka kryer detyrat ligjore të tij, nuk ka bërë informimin në kohë të Kryeministrit për ngjarjet e 21 janarit. Ai nuk ka asnjë lloj informacioni për 21 janarin, dhe ai ka qenë shumë aktiv për periudhën zgjedhjes së Presidentit. Çdo institucion duhet të ketë mandat. Ai është një djalë i sjellshëm, por nuk ka kryer mirë detyrën”, u shpreh Hoxha.
Në kushtet kur përpara kemi një vit sulmi, deputeti i PD shprehet se kemi punë përpara, ndërsa garanton se mazhoranca është e gatshme t’i shtrijë dorën opozitës për BE, të bashkëpunojë me të për çdo reformë, me shpresën sipas tij që opozita t’i thërrasë arsyes dhe të dalë nga dalldisja.
 
Opozita bllokoi heqjen e imunitetit seancën e 6 gushtit
 
Edhe pse dy partitë e mëdha, PD dhe PS shkuan në seancën plenare të 6 gushtit me një draft të përbashkët për sa i takon heqjen së imunitetit përmes ndryshimeve Kushtetuese, opozita nuk reflektoi mbi përgjegjësitë e saj në procesin e integrimit të vendit, duke zgjedhur rrugën e bllokimit. Qëndrimet refraktare dhe shpesh herë të nxitura qëllimisht për të provokuar mazhorancën politike, nuk u distancuan edhe përballë mbështetjes ndërkombëtare për draftin e imunitetit.
Këndvështrimet si dhe çfarëdolloj interpretimi ishin të qartë sepse heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë është edhe betejë me luftën kundër korrupsionit. Kësisoj, përballë të tilla fakteve kokëforta, integrimit dhe luftës kundër korrupsionit, PS zgjodhi të bëhej avokate e ryshfetit dhe të kufizohej brenda rrethimit të shtabit të miliarderëve, të cilët kujtojnë se “shqiptarët e hanë sapunin për djathë”, kur thonë se pasuritë e tyre janë legjitime, të vëna nga shitja e deleve, vezëve apo dhe nga tregtia e leshit! Marrëzi të tilla që prodhohen veç nga një mendje e frikësuar nga ligji dhe zbatimi i tij, mbajnë peng sot e kësaj dite integrimin e Shqipërisë në BE dhe luftën kundër korrupsionit.
Edhe pse është i ditur rëndësia e këtij projektligji, si një nga 12 kushtet e BE për marrjen e statusit kandidat, PS qëndroi në vendnumëro, duke i kanosur Shqipërisë një nga risqet më të mëdha në raportet me Bashkimin Evropian, dështimin e statusit për të tretin vit radhazi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›