Basha : Para qershorit 2010, shqiptarët pa viza në BE
Shqipëria do të përfitojë nga regjimi i liberalizuar i vizave përpara qershorit të vitit që vjen. Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha e mbështet këtë bindje në ecurinë e përmbushjes së detyrimeve nga ana e qeverisë shqiptare, ku si kusht kryesor është pajisja e shtetasve me pasaporta biometrike. Në këtë drejtim, qeveria do të tejkalojë madje dhe ambicien që fundviti të shënoje 100 mijë shtetas që disponojnë dokumentin e sigurt të identifikimit. Deklarata e ministrit Basha, vjen pas vendimit të Komisionit Europian që propozon liberalizim të vizave me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Basha e sheh këtë vendim si dritë jeshile dhe garanci të plotë edhe për Shqipërinë. Kreu i diplomacisë shqiptare, ka sqaruar dhe një tjetër moment të rëndësishëm që ka të bëjë me mënyrën sesi do të lëvizin shtetasit shqiptarë drejt Maqedonisë, Malit të Zi e Serbisë në kushtet kur këto të fundit ndodhen në një fazë të re në marëdhëniet me unionin.